Houston u mbyt në ujë të valuar

05/04/2012 00:00

Whitney Houston është mbytur në ujë të valuar në vaskën e banjës në një
hotel të Beverly Hills, me kokainë në trup dhe me pluhurin e bardhë
pranë saj.

Kështu thuhet në raportin perfundimtar të mjekut ligjor mbi rrethanat e vdekjes së yllit të muzikës, e cila u nda nga jeta në mënyrë të papritur më 11 shkurt. Hetuesit kanë gjetur substancë pluhuri të bardhë, një letër të bërë tub, një lugë të vogël dhe një pasqyrë pranë trupit nudo të Houston, e cila u gjet e pajetë në vaskë me fytyrë poshtë. Këto janë detaje të raportit me 40 faqe të mjekesise ligjore në Los Angeles.

Houston, e cila ndërroi jetë në moshën 48-vjeçare kishte patur probleme me drogën. Autopsia ka përcaktuar se vdekja ishte aksidentale për shkak se këngëtarja ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike dhe se në ato momente ka patur dhimbje në zemër.

Sipas hetuesve, gruaja u gjet e mbytur në vaskën e mbushur rreth 30 centimetra me ujë të nxehtë. Në momentin e këqyrjes se vendit te ngjarjes, temperatura e ujit ishte 34 gradë, por hetuesit mbërritën aty 6 orë pas vdekjes. Këngëtarja kishte edhe gjurmë marijuane, ndërsa në dhomën e saj ishte një shishe e hapur shampanje.

Top Channel