Këshilli Europës ka dërguar në Tiranë një ekip faktmbledhës për situatën politike në vend. Raportuesit Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco kanë zhvilluar një takim me kreun e opozitës Edi Rama.
Siç njofton zyra e shtypit e PS, gjatë takimit Zoti Rama, tha se opozita ka ofruar konsenus dhe ka treguar vullnet maksimal për miratimin e ligjeve me 3/5, si dhe angazhim për të bërë më të mirën në mënyrë që reforma zgjedhore të përfundojë sa më të shpejtë.
Gjithashtu, Rama u ndal në problemet serioze që shqetësojnë vendin, siç është mungesa e zbatimit të ligjit, korrupsioni, problemet e gjyqësorit dhe rrënjosja e kulturës së pandëshkueshmërisë, si dhe domosdoshmërinë e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, mbi palët, përmes një procesi të besueshëm në frymën e kushtetutës së vendit.
Rama shprehu shqetësimin për njëanshmërinë e theksuar të Televizionit Publik dhe mungesën e vullnetit të maxhorancës për të miratuar ligjin për median, të hartuar dhe me asistencë të partnerëve ndërkombëtarë.
Për shumë se 60 minuta raportuesit u takuan edhe me krytarin e KQZ, Arben Ristani. Në mbarim të takimit ata nuk kanë pranuar të prononcohen se çfarë është biseduar .
Ndërsa në Kryesinë e Kuvendit kanë zhvilluar takime me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmaili dhe anëtarë të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Gjithashtu, ata janë takuar edhe me përfaqësues të Komisionit për Reformën Parlamentare, si dhe me dy bashkëkryesuesit e Komisionit për Reformën Elektorale.
Nuk ka mbetur jashtë axhendës së dy raportuesve të Këshillit të Europës edhe çështja e 21 janarit, duke i kushtuar një takim të veçantë me antarët e Komisionit Hetimor Parlamentar.
Faktet e mbledhura nga dy raportuesit do të paraqiten në mbledhjen e ardhëshme të Këshillit të Europës.
Top Channel