Jim Carrey i rikthehet suksesit të vitit 1994

03/04/2012 17:35

Jim Carrey ka nënshkruar një kontratë për filmin e dytë “Dumb and Dumber”. Regjizori Peter Farrelly bëri të ditur se aktori i famshëm komik dhe Jeff Daniels do të interpretojnë sërish bashkë pas suksesit që pati filmi i “dy budallenjve” në vitin 1994.

“Gjithmonë kemi dashur të bëjmë një pjesë të dytë të filmit. Daniels gjithmonë ka qenë i gatshëm, por Carrey ka qenë i zënë. Gjithsesi para disa kohësh Jim Carrey telefonoi dhe kërkoi që të bënim pjesën e dytë të filmit”, u shpreh Farrelly për ‘The Sun’.

Mendohet se xhirimet e filmit të ri do të fillojnë në muajin shtator.

Filmi ‘Dumb & Dumber’ tregon historinë e dy shokëve të lehtë nga mendja të cilët gjejnë rastësisht një valixhe që kërkohet edhe nga disa kriminelë të rrezikshëm.

Filmi ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka arritur të grumbullojë 247 milionë dollarë në të gjithë botën. Për interpretimin në këtë film Jim Carrey ka marrë plot 7 milionë dollarë.

Top Channel