Siria pranoi 10 prillin si afatin e fundit për të nisur implementimin e planit 6-pikësh të paqes të hartuar nga i derguari i Ligës Arabe dhe Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan.
Plani kërkon një armëpushim të mbikëqyrur nga OKB-ja për të gjitha palët, tërheqjen e ushtarëve dhe armatimeve të rënda nga zonat e banuara, si dhe korridore të sigurta për ndihmën humanitare.
Annan informoi Këshillin e Sigurimit mbi këtë çështje në një seancë me dyer të mbyllura, ndërsa në terren dhuna ka vazhduar e ashpër, sidomos në qytetet e Idlibit dhe Homsit, ku aktivistët sirianë raportojnë për luftime të reja.
Annan i kërkoi Këshillit të Sigurimit mbështetje për afatin e të martës së ardhshme kur Damasku duhet të zbatojë të paktën pjesërisht planin e tij, ndërsa një armëpushim i plotë pretendohet brenda 48 orësh. Sipas tij, qeveria siriane është pajtuar me këtë afat dhe në përgjithësi me propozimet e tij.
Por ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së i kujtoi organit vendimmarrës të Kombeve të Bashkuara se nuk ka patur deri më tani ndonjë shenjë nga regjimi i Bashar al Assad që të tregojë vullnet për mbajtjen e premtimeve të implementimit.
Premtime janë marrë e janë shkelur, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Susan Rice. Eksperiencat e shkuara na detyrojnë të tregohemi skeptikë ndaj Sirisë kur thotë se do ta vërë këtë plan në zbatim, shtoi ajo, duke paralajmëruar njëkohësisht se mund të ndodhë pikërisht e kundërta dhe në vend që të fashitet, dhuna të përshkallëzohet edhe më keq.
Të djelën, një grup prej 83 vendesh që mbështesin ndryshimin politik në Siri e paralajmëruan presidentin Assad se ka shumë pak kohë në dispozicion për të implementuar planin e Kofi Annan, duke sqaruar shprehimisht në deklaratën e tyre të përbashkët se dritarja e mundësive për regjimin sirian nuk do të qëndrojë e hapur në pafundësi.
Top Channel