NATO përgjegjëse për vdekjen e 63 klandestinëve

29/03/2012 15:10

NATO është përgjegjëse për vdekjen e 63 klandestinëve libianë, të cilët mbetën në det të hapur pasi mjeti i tyre konsumoi të gjithë karburantin gjatë rrugës për në Itali.

Një hetim i Këshillit të Europës arriti në përfundimin se dy luftanije të NATO-s ishin shumë pranë mjetit lundrues, por si rrjedhojë e një “zinxhiri gabimesh”, askush nuk u erdhi në ndihmë.

Vetëm nëntë persona nga 72 i mbijetuan një rruge prej 15 ditësh në Detin Mesdhe, deri në rikthimin e anijes në një port libian.

Komanda e NATO-s është shprehur se asnjë mjet lundrues apo ajror nuk vendosi kontakt me forcat e saj gjatë ditëve që u konsumua tragjedia. Në një përgjigje zyrtare, komanda u mbrojt duke thënë se ndonëse mjetet e saj mund të kenë pranë, ato ishin të shpërqendruara me misione të tjera shpëtimi në det.

Sipas vlerësimeve, mbi 1 500 libianë humbën jetën në përpjekje për të arritur në brigjet italiane me mjete të ndryshme detare, shumë prej të cilave anije të vjetra dhe të mbushura përtej kapacitetit të tyre.

Këshilli i Europës nisi hetimin e tij pas një rrëfimi tronditës në të përditshmen “The Guardian” të një prej të mbijetuarve. Ai rrëfeu se si personat nisën të vdisnin një nga një nga mungesa e ujit dhe ushqimeve pas disa ditësh, ndërsa ata ishin të detyruar t’i hidhnin në det.

Të sfilitur, vetëm 11 persona ishin ende në jetë kur erërat e favorshme dhe dallgët e detit rikthyen mjetin në bregdetin libian, por dy humbën jetën në spital, si pasojë e dehidratimit ekstrem.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA