Pas një takimi me zvs/presidentin e grupimit të majtë në Parlamentin Europian, Libor Rouçek, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u takua në Bruksel edhe me Komisionerin për zgjerim Stefan Fule.
Ky i fundit mirëpriti planin e fundit të veprimit si një bazë e mirë për reformat kyçe, por kërkoi që vendi të përdorë të gjitha kapacitetet, për të shënuar përparim në kriterin politik, shtetin e së drejtës dhe për të drejat e njeriut.
“Mora siguri të reja se Shqipëria nuk do të humbë më kohë dhe se do të përparojë në të gjitha veprimet e nevojshme, për të arritur një masë kritike rezultatesh në të gjitha fushat. Këto ndryshime duhet gjithashtu të përfshijnë përfundimin pa pengesa të reformës zgjedhore dhe të rishikimit të rregullores së Parlamentit, gjë që do të shtronte rrugën për progres në fusha të tjera gjithashtu. Nënvizoj rëndësinë e përvetësimit të reformave nga të gjitha palët e interesuara dhe të vazhdimit të një dialogu dhe bashkëpunimi gjithpërfshirës dhe konstruktiv në mes të qeverisë dhe opozitës”, deklaroi Fyle.
Sipas ministres së Integrimit, me reformat e ndërmarra që prej nëntorit, në Bruksel ka ndryshuar ndjeshmëria për vendin, gjë që sipas saj tashmë mbetet për t’u përkthyer edhe tek vendet anëtare të BE-së.
“Më vjen mirë që pas një periudhe dy-vjeçare kemi një tjetër ndjeshmëri, jo vetëm nga ana e Komisionit Europian, pasi do të kishte qenë e vështirë që Komisioni të kishte një ndjeshmëri pozitive nëse gjërat, të paktën nga nëntori nuk do të kishin lëvizur pozitivisht në Shqipëri”, deklaroi Bregu.
”Ajo ç‘ka i kam thënë edhe Komisionerit dhe do të citoj fjalët e mia për të mos dashur të bëj referenca të tjera të diskutimeve, është se nuk ka asnjë mundësi për t’u kthyer mbprasht në momentin që politikanë të caktuar kanë vendosur ose kanë ndërruar mendjen në një moment të caktuar dhe kanë vendosur të tregojnë përgjegjësi politike.”
Ministrja Bregu zhvilloi takime edhe me kreun e delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan dhe raportuesin për Shqipërinë, Nicholaos Chountis. Ndërkohë, ajo referoi një fjalim me temë ‘Shqipëria dhe BE: arritjet, sfidat dhe rruga drejt të ardhmes’, në një darkë të organizuar nga Konrad Adenauer-Stiftung dhe misioni i Shqipërisë pranë Bashkimit Europian.
Top Channel