Tragjikomedia “Fqinjët”

26/03/2012 12:15

Jeta e një familjeje shqiptare që ka emigruar në Greqi, përballja me problemet, shqetësimet, por edhe dashurinë apo përbuzjen, kanë qenë në qendër të tragjikomedisë “Fqinjët”, e cila është shfaqur në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë.

Pjesa është shkruar nga Ruzhdi Pulaha dhe është vënë në skenë me regji të Alfred Trebickës. Interpretimi i emrave të mirënjohur si Mehdi Malkës, Marjana Kondit, Violeta Trebickës si dhe aktorëve të rinj Elvi Shuku, Marsia Lila dhe Desara Xhangolli, ka përcjellë në sallë emocione dhe humor.

Pleqtë e një familjeje greke janë lidhur ngushtë me familjen shqiptare e cila punon për ta. Ata gjejnë tek gruaja shqiptare mbështetjen dhe kujdesin për të cilin kanë aq nevojë. Nga ana tjetër edhe shqiptarët janë afeksionuar me ta. Motra e Beharit ka filluar një histori dashurie me nipin e familjes Markon, i cili nga ana e tij është gjithashtu entuziast për këtë lidhje.

Por e ëma e Markos, Anthulla, e kundërshton bashkimin e tyre vetëm sepse vajza e cila studion për mjekësi është shqiptare. Edhe Bardha, nusja e Beharit, nuk është entuziaste për ta sepse ka frikë nga përbuzja dhe pasojat e një lidhjeje të tillë.
 
Krijohen dy paralele: nga njëra anë brezi i ri që përqafon ndryshimet dhe i kundërvihet paragjykimeve sociale, mbështetur nga pleqtë e shtëpisë dhe të rriturit të cilët vazhdojnë të kushtëzohen nga opinioni dhe forca e zakonit e cila krijon hendeqe ndërmjet njerëzve dhe ndjenjave të tyre.

Sakrificat që emigrantët shqiptarë përjetojnë në mërgim, përpjekjet, dëshira për të përmirësuar jetën e tyre, por në të njëjtën kohë, në anën tjetër të medaljes përjetimi i këtij realiteti nga fqinjët grekë, ndjenjat dhe perceptimet e tyre për shqiptarët, të cilat jo gjithmonë janë negative, pasqyrohen qartë nga loja e aktorëve dhe sjellin një episod, i cili mund të jetë shkëputur fare mirë nga realiteti.

Top Channel