Mickey Rourke tërhiqet nga roli i regbistit homoseksual

26/03/2012 10:10

Mickey Rourke është tërhequr nga interpretimi i lojtarit homoseksual të regbisë Gareth Thomas për shkak se nuk e përballonte dot stërvitjen e rëndë për rolin.

Aktori 60-vjeçar është shprehur se është shumë i vjetër për të marrë përsipër rolin e ish-yllit të kombëtares së Uellsit.

“Po flisja me Mickey-n dje dhe po mundohemi të gjejmë dikë tjetër për rolin. Menduam që mund të përdornim efekte speciale, por filmi nuk do të jetë aspak realist në këtë mënyrë. Duhet të gjejmë një aktor tjetër”, theksoi Gareth Thomas, ish-kapiten i Uellsit.

Para disa kohësh Rourke ishte shprehur: “Përgatitja fizike është më e vështirë se sa mendoja. Kam marrë një trajner personal dhe po mundohem të jem në formë për xhirimet.”

Rourke është 21 vjet më i vjetër se Thomas dhe kishte premtuar edhe heqjen e dhëmbëve për t’i ngjarë sa më shumë personazhit uellsian.

Filmi do të tregojë historinë e regbistit Gareth Thomas dhe periudhën e vështirë që ai kaloi pasi në vitin 2009 pranoi hapur se ishte homoseksual.

Top Channel