Ledio Shehaj, gjeniu gjimnazist i “Kinema Kuiz”

23/03/2012 19:10

Ledio Shehaj është një konkurrent shumë i fortë i spektaklit të së dielës në Top Channel, E Diell.

Djalin 17-vjeçar e ka frikë çdo kundërshtar e deri tani ka grumbulluar 1050 euro në Kinema Quiz. Në një intervistë për ‘Pasdite në Top Channel’, Ledio tregon se sekreti i tij është kujtesa e fortë.

“Filmat shqiptarë janë një pasion dhe jo fiksim sepse nuk besoj se e kam tejkaluar masën. Unë kam një kujtesë shumë të fortë dhe ky është sekreti që unë mbaj mend kaq shumë”, shprehet Ledio.

“Këto filma më tërhiqnin për shkak se trajtonin ngjarje historike si “Nëntori i dytë”, “Mësonjëtorja” dhe “Kush vdes në këmbë”. Duke parë këta filma më shtyu kureshtja të shikoja sa më shumë filma të tjerë shqiptarë”, shton 17-vjeçari.

Ledio shtoi: “Nuk mbaj mend vetëm fraza nga filmat shqiptarë, por edhe tek filmat e huaj. Gjithsesi mendoj se me kinematografinë e huaj nuk do isha në nivele të tilla.”

Protagonisti i kuizit të emisionit “E Diell” tregon edhe ëndrrën e tij: të bëhet një ditë regjizor: “Pasi të mbaroj gjimnazin do të aplikoj në Akademinë e Arteve. Dua të bëhem regjizor.”

Top Channel