Mitt Romney ka siguruar një mbështetje kyçe për kandidaturën e tij për në zgjedhjet presidenciale nga ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush.
Zoti Bush, mbështetja e të cilit vjen pasi zoti Romney siguroi një fitore të pastër në Illinois, u bëri thirrje republikanëve që të bashkohen me fushatën e ish-guvernatorit të Masaçusets.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se mbështetja nga një figurë kaq e respektuar tregon se baza e partisë republikane mund të shkrihet përreth figurës së Romney. Nëse emërohet, ai do të sfidojë Barack Obama në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Zgjedhjet e ardhshme primare do të mbahen të shtunën në Luiziana dhe do të pasojnë me zgjedhjet në Uiskonsin, Merilend dhe Rajonin e Kolumbias më 3 prill.
“Zgjedhjet primare janë mbajtur në 34 shtete dhe tani është koha që republikanët të mblidhen rreth zotit Romney dhe të mbështesin mesazhet tona për një sistem fiskal konservator dhe krijim vendesh pune për të gjithë votuesit këtë vjeshtë”, tha zoti Bush në një deklaratë.
“Unë po e mbështes Mitt Romney për emërimin e partisë sonë. Ne po përballemi me sfida të mëdha dhe kemi nevojë për një lider që e kupton ekonominë, beson në sipërmarrjen kapitaliste dhe punon për të bërë të mundur që të gjithë amerikanët të kenë sukses”, shtoi ai.
Zoti Bush shihej si një kandidat i mundshëm në zgjedhjet presidenciale dhe babai i tij, ish-presidenti George H W Bush, ka mbështetur gjithashtu kandidaturën e zotit Romney.
Top Channel