“Gruevski i ka duart e me gjak shqiptar”

22/03/2012 20:10

Incidentet e fundit ndëretnike kanë nxitur debate të ashpra në Parlament mes deputetit te PDSH-së, Zijadin Sela dhe kryeministri Nikolla Gruevski.

Nga foltorja e Kuvendit, Sela ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë, pasi siç ka thënë ai, Gruevski dhe kabineti i tij i kanë duart e lyera me gjak të shqiptarëve.

“Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska mban në ndërgjegjen e saj vrasjen e Imran Mehmetit dhe Besnik Shehapit nga një zyrtar policie. A ka moral Ministri i Arsimit kur duart i ka me gjakun e 15 nxënësve shqiptarë. Dhe nëse përgjigjeni se ka moral atëherë ju nuk paskeni moral”, deklaroi Zijadin Sela.

Akuzat e rënda të deputetit shqiptar, në reagimin e menjëhershëm nga kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i konsideroi si shpifje. Sipas tij, PDSH po krijon tensione ndërentike për përfitime politike.

“Këto akuza mund të bëhen vetëm në këtë foltore ku me ligj deputeti është i mbrojtur për shpifje. Një gjë më habit, kur ishit në qeveri me ne, atëherë Qeveria për ju ishte e mirë, ndërsa tani që jeni në opozitë, ne u shndërruam në vrasës dhe gjakatarë. Kjo jo vetëm nuk është morale, por flet për dyfytyrësi”, tha Gruevski.

Në kundërreplikën e tij, deputeti i PDSH-së akuzoi pjestarë shqiptarë të kabinetit qeveritar, që sipas tij janë bërë palë me politikën e qartë antishqiptarëve të Shkupit. Sipas Zelës, në kohën kur partia e tij ishte aleate e Gruevskit, asnjë tolerim i ndonjë politike nacionaliste nuk u lejua.

Top Channel