Shpallja e datës për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, do të jetë në dorën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Kështu është parashikuar me ndryshimet kushtetuese që janë bërë, por kryetari i Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami, në një intervistë për Top Channel, shpjegon se shpallja e zgjedhjeve presidenciale duhet të bëhet edhe në konsultim me subjektet politike.

“Kryetari i Kuvendit të Kosovës shpall zgjedhjet e drejtpërdrejta për president të ardhshëm, dhe ato duhet të kryhen brenda 6 muajve, në mënyrë që të kemi një president të zgjedhur direkt nga populli… Po e përseris, kjo është çështje politike, e vlerësimit politike, dhe është autoritet i Kryetarit të Kuvendit por edhe i grupeve parlamentare që të caktojnë një datë më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve”, thotë Arsim Bajrami, Kryetar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese.

Amendamentet kushtetuese tashmë janë në kabinetin e kryetarit Jakup Krasniqi, dhe janë në fazën e përgatijes për adresim në Gjykatën Kushtetuese, e cila deri në fund të muajit qershor ka kohë që të deklarohet nëse janë në përputhje me të drejtat e njeriut, dhe më pas t’i ktheje në Kuvend për miratim përfundimtar.

Bajrami thotë se 6 muajit pas miratimit mund të mbahen zgjedhjet presidenciale, ku i pari i shtetit do të zgjidhet direkt nga populli, dhe kjo kohë mund të jetë në fund të vitit 2012. Partitë politike kryesore janë shprehur që të respektohet marrëveshja Thaçi-Mustafa-Pacolli, por ka pasur edhe zëra që ato mund të mos mbahen këtë vit.

Profesor Bajrami tregon se pas çdo cikli të zgjedhjeve, Kosova është përballur me kriza politike për shkak të postit të presidentit, por ai beson se me ndryshimet e reja kjo nuk do të ndodhë më.
“Nëse analizoni historinë parlamentare të Republikës së Kosovës do të shihni se pas çdo cikli të zgjedhjeve Kosova ka ra në një krizë në pamundësi të zgjedhjes së presidentit dhe gjithmonë formula për zgjedhjen e presidentit ka dëmtuar kredibilitetin e presidentit, apo ka nxjerrë një president vazal nga Kuvendi. Definitivisht me këto reforma po i krijojmë presidentit të ardhshëm lidershipin e nevojshëm, që ai të vihet në funksion kushtetues”, Arsim Bajrami, Kryetar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese.

Ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit erdhi pas krizës presidenciale, ku Behgjet Pacolli dha dorëheqjen pasi Gjykata Kushtetuese kishte deklaruar se nuk ishin përmbushur dispozitat ligjore në zgjedhjen e tij nga Kuvendi.

Top Channel