Qindra veteranë ushtarakë të Bosnjes kanë hyrë në ditën e dytë të grevës
së urisë, që po zhvillohet para ndërtesës së qeverisë në Sarajevë.

Greva vjen për shkak të mosmarrëveshjeve me ekzekutivin në lidhje me pagesën e pensioneve. Veteranëve u janë premtuar pensione në vitin 2010, por ato kurrë nuk u janë paguar.

Mbi 1.500 ushtarë serbë, myslimanë dhe kroatë u detyruan të dilnin në pension dy vjet më parë, pasi qeveria e Bosnjes riorganizoi forcat e saj të armatosura pas luftës së viteve 1992-95.

Përfaqësuesi i ushtarëve veteranë, Senad Hubijer ka thënë se greva do të vazhdojë derisa problemi të zgjidhet, ose “derisa veteranët të vdesin nga uria”.

Greva zhvillohet në një moment kur Bosnje e Hercegovina po planifikon të paraqesë kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda pak muajsh.

Bakir Izetbegoviç, përfaqësuesi mysliman i presidencës trepalëshe, takoi të mërkurën në Bruksel komisionerin për Zgjerimin, Shtefan Fyle, ndërsa para gazetarëve konfirmoi se kërkesën do ta paraqesë në muajin qershor.

Izetbegoviç shfaqi shpresën se Bosnja do të jetë në gjendje të ndryshojë Kushtetutën e saj, konform vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që kundërshton ndarjen e pushtetit politik në Bosnje mes myslimanëve, kroatëve dhe serbëve.

Top Channel