Ambasada shqiptare në Maqedoni ka promovuar në Shkup ekspozitën “100 artistë për 100 vjetorin e Shqipërisë”. Në këtë projekt janë përfshirë artistët e të gjitha bashkësive etnike në vend, ndërsa në ekspozitë kanë marrë pjesë figura të larta politikës dhe jetës kulturore në Maqedoni.

“Në themel të kësaj ekspozite qëndron vullneti pozitiv për të dhënë një kontribut më shumë në respektimin e historisë, vlerave, traditave dhe sakrificave të të tjerëve që jetojnë në një hapësirë të përbashkët me ne, por që mund të jenë të ndryshëm. Kjo ekspozitë është një urë shumëngjyrëshe që tejkalon cdo lloj paraghykimi dhe na afron më tepër tek e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike”, tha ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku.

Ndërkohë, shtëpia botuese “Logos-A” nga Shkupi me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë shënoi të mërkurën nisjen e aksionit për dhurimin e 100 mijë librave për të gjitha institucionet shqiptare. 30 mijë libra do të ndahen në Maqedoni, 30 mijë në Shqipëri dhe 40 mijë në Kosovë.

“Logosi ka vendosur që për 100 vitet e Shqipërisë të dhurojë nga 1000 libra për secilin vit të kaluar duke arritur kështu në gjithsej 100 mijë libra që planifikon t’i dhurojë për thuaje të gjitha institucionet shkencore, arsimore, kulturore e bibliotekat shqiptare, për të përçuar kështu mesazhin e vlerës se madhe që ka ky përvjetor, 100 mijë libra për 100 vjet Shqipëri”, tha Afrim Gashi, “LOGOS-A”.

Ky donacion që ka filluar të mërkurën nga Shkupi do të përfundojë në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor.

Top Channel