Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se futnota nuk duhet të pranohej aq shpejtë nga Qeveria e Kosovës.

Komentet zoti Krasniqi i bëri gjatë mbledhjes se këshillit drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, ku u analizua situata politike aktuale në Kosovë dhe u përshëndet vendimin për përmbylljen e Mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës.

Jakup Krasniqi, nënkryetar i PDK-së:

“Një fusnotë që është vendosur nuk është dashur aq shpejt të pranohet. Është dashur të jetë një vendim pasi që PDK e ka përgjegjësinë kryesore, organi kryesor i PDK-së është dashur ta marrë përgjegjësinë për atë fusnotë, përderisa ajo është vendos dhe nuk është e favorshme për Kosovën. Këshilli drejtues nuk ka debatuar dhe PDK s’mund ta marrë përgjegjësinë e vet. Por deklarimet tjera që vijnë pas kësaj fusnote, konsideroj se kanë marrë krah te këto lëshime që i janë bërë palës serbe në këto bisedime, janë një paralajmërim për një autonomi të serbëve në Kosovë,  në  pjesën veriore. Ne si parti nuk guxojmë të bëhemi si struci, ta fusim kokën në zall dhe të bëhemi se gjoja s’po ndodh asgjë para nesh dhe t’i mbyllim sytë, mos të shohim asgjë”.

Por për  kryetarin e  PDK dhe njëheresh kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi kjo është një cështje e mbyllur, ndërsa atij i është dashur t’i rikthehet edhe një herë deklaratës për kufijtë.

Hashim Thaci, kryetar i PDK-së / Kryeministër i Kosovës:

“Me një vendim të qartë dhe të prerë në asnjë rrethanë dhe asnjë çmim le të deklaron kushdoqoftë, Brukseli apo kushdo tjetër për pretendim së pari territorial. Sepse nëse dojmë t’i ndryshojmë krejt kufijtë, dhe shumë lehtë do të jetonim ne shqiptarët në një shtet të vetëm në rajon, natyrisht me ndryshimin e kufijve të shumë vendeve të rajonit. Por me një perspektivë evropiane me kufij të hapur, por në asnjë rrethanë dhe asnjë çmim, kuptimin për inicimin e ndonjë ide për  gjoja autonomi  qoftë regjionale, qoftë territoriale apo speciale. Kosova është një unike me integritetin e saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Gjatë kësaj mbledhjeje, këshilli drejtues i dha mandatin kryesisë  që të organizohen zgjedhjet brenda PDK-së, brenda vitit 2012. Këshilli Drejtues i PDK-së u pajtua që t’i propozojë Kongresit moton e re: PDK për Kosovën Evropiane.

Top Channel