Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se nuk ka ndërmend të ndërrojë anëtarët e delegacionit të bisedimeve me Serbinë.

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj ekipit negociator të drejtuar nga Edita Tahiri.

“Qëndrimet që ka prezantuar në Bruksel delegacioni i Kosovës janë qëndrime të qeverisë së vendit”, ka deklaruar Kuçi.

Njëkohësisht ministër i Drejtësisë, Kuçi ka refuzuar të komentojë deklaratat kontradiktore të bëra dy ditë më parë nga kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi.


Krasniqi lëshoi kritika të ashpra
në drejtim të delegacionit kosovar për menaxhimin e proçesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, nën drejtimin e Brukselit.

Duke mos përmendur emrin e kryenegociatores Edita Tahiri, kryeparlamentari tha se delegacioni kosovar nuk ka patur njohuri të mjaftueshme për të arritur sukses.

Zhvillimi i bisedimeve dhe roli i ekipit negociator kosovar u kritikua më herët gjatë muajit edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa tha se LDK-ja asnjëherë nuk ka qenë kundër zhvillimit të dialogut me vendet fqinjë, e as kundër dialogut me Serbinë, por theksoi se mënyra se si është zhvilluar ky dialog ka qenë e gabuar.

“Ne kemi vlerësuar se dialogu ka qenë i papërgatitur. Nuk janë përcaktuar objektivat e tij, nuk është përcaktuar axhenda, nuk janë ditur përfitimet që do të ketë Kosova. Prandaj, LDK e ka kundërshtuar dhe ka ngritur zërin kundër kësaj forme të dialogut”, tha Mustafa.

Top Channel