LA, dështon gjyqi i ish-shtëpiakes

20/03/2012 14:25

Ka rezultuar i pavlefshëm gjyqi i ish-aktores së “Shtëpiake të Dëshpëruara”, Nicollette Sheridan, e cila paditi producentët e serialit për vrasjen e personazhit të saj.

Anëtarët e jurisë nuk ranë dakord mbi deklaratat e aktores ndaj rrjetit televiziv ABC, që transmeton dhe telefilmin.

Sheridan thotë se krijuesi i serialit, Marc Cherry, eleminoi personazhin e saj pasi ajo u ankua se ai e kishte goditur në kokë gjatë një debati në sheshin e xhirimit, në shtator të vitit 2007.

Nga ana e tij, zoti Cherry thotë se Sheridan e ekzagjeroi me deklaratat e saj dhe tha se kishte vendosur vrasjen e “Edie Britt” disa muaj më parë.

Aktorja po kërkonte një shpërblim prej 6 milionë dollarësh nga ish-punëdhënësit e saj. Ajo doli nga gjykata e Los Anxhelosit mbrëmjen e së hënës pa bërë asnjë prononcim për gazetarët.

Avokati i saj tha se ata do ta apelojnë çështjen, ndërkohë që zoti Cherry nuk ishte i pranishëm në sallë. Anëtarët e jurisë votuan 8-4 në favor të Sheridan, por që vendimi të hynte në fuqi duhej një diferencë 9-3.

Top Channel