Besson: Suu Kyi të bëhet presidente

20/03/2012 13:40

“Në një moment kur kemi mungesë të simboleve të fuqishme është e rëndësishme të tregojmë historinë e Aung San Suu Kyi, një heroinë e vërtetë, një përfaqësuese e denjë e racës njerëzore”.

Kështu shprehet regjisori francez Luc Besson, i cili i ka kushtuar fitueses së çmimit Nobël për Paqen filmin e tij “The Lady”, ku interpreton aktorja e njohur kineze Michelle Yeoh.

“Para projektit e dija kush ishte Suu Kyi, që luftonte për demokracinë në Birmani, por nuk dija asgjë për historinë e saj personale. Kur lexova skenarin kam qarë për dy orë, pasi më bëri shumë përshtypje se si kjo grua 50 kg, pa përdorimin e dhunës i bëri ballë një diktature gjakatare dhe një ushtrie prej 300 mijë vetësh për 25 vjet. Ajo e bëri këtë përmes dashurisë për vendin, fëmijët e saj dhe bashkëshortin”, tregon Besson.

Përsa u përket zgjedhjeve në Birmani që do të mbahen më 1 prill, regjisori thotë se do të jenë më transparentet që janë zhvilluar deri më sot në Birmani, edhe pse jo tërësisht të lira.

“Jam i sigurt se Aung San Suu Kyi do të zgjidhet dhe shpresoj që pas tre ose katër vjetësh të bëhet presidente e Birmanisë. Ajo do të vepronte vetëm për të mirën e popullit të saj”, shprehet regjisori.

Besson shton se lufta për të mbrojtur demokracinë duhet të vazhdojë edhe në ato vende ku ajo konsiderohet fakt i kryer. Ai po ndjek me vëmendje fushatën elektorale që po zhvillohet në Francë.

“Po e ndjek me vëmendje, do të dëgjoj propozimet dhe më pas do të vendos. Por më duket se sillen të gjithë sikur janë në pazar, bëjnë vetëm oferta në vend që të prezantojnë projekte që të kenë të bëjnë edhe me të ardhmen e fëmijëve të mi në Francë”, shton Besson.

Top Channel