George Clooney është lënë i lirë nga policia amerikane pasi u arrestua gjatë një proteste që u zhvillua jashtë ambasadës sudaneze në Uashington (SHBA).
Aktori i famshëm hollivudian, së bashku me babanë e tij dhe disa protestues të tjerë, u paralajmërua disa herë nga policia të mos tejkalonte gardhin e formuar jashtë ambasadës para se t’i viheshin prangat.
50-vjeçari ishte pjesë e një proteste ndaj presidentit të Sudanit, Omar al-Bashir, i cili sipas protestuesve ka shkaktuar një krizë humanitare në vendin afrikan duke bllokuar hyrjen e ushqimit dhe ndihmës mjekësore nga malet Nuba, në kufirin me Sudanin Jugor.
“Ne jemi këtu për të kërkuar lejimin e menjëhershëm të hyrjes së ndihmave në Sudan para se të krijohet kriza më e madhe humanitare në botë. Gjithashtu duam që qeveria e Kartumit të ndalojë vrasjen e njerëzve të pafajshëm, ku përfshihen fëmijë dhe femra”, tha Clooney për CNN para se të shoqërohej nga policia.
Top Channel