Harresa e kishave dhe xhamive shekullore

12/03/2012 20:55

Kishat dhe xhamitë antike, së bashku me të gjithë monumentet e tjera të kulturës, trajtohe thuajse si diçka e rëndomtë, në një vend që është mësuar gjithmonë e më shumë me humbjen e vlerave të tij historike.

Asnjë reagim dhe asnjë projekt serioz nuk ekziston, me përjashtim të zellit për privatizimin e kalave, pa e ditur se në duart e kujt ato do të përfundojnë. Sidoqoftë, deri sa dikush të vërë dorë, gjithçka është e lënë në harresë. Kala, kështjella, monumente, kisha dhe xhami, të gjitha të lëna në mjerim, në shembje nga pesha e kohës që i rëndon mbi supe.

Udhëtimi i kamerave të “Shqipërisë Tjetër”, në kërkim të këtyre monumenteve të braktisura, nisi nga qyteti i Elbasanit. Ndalesa e parë, xhamia e Nazareshës, që ngrihet diku në unazën e qytetit, në aksin që të lidh me Librazhdin.

Xhamia, monument kulture që prej vitit të largët 1948, sot dergjet pa asnjë lloj investimi, me mure të çarë, të zhvendosur e gati për t’u shembur, me barishtet që kanë mbirë ngado përgjatë trupit të saj.

“Nuk kemi marrë absolutisht asnjë lloj fondi, pavarësisht kërkesave që i kemi adresuar autoriteteve”, shprehet myftiu i Elbasanit, Agim Duka. “Kemi patur shumë premtime, por në realitet nuk ka patur asgjë konkrete”.

Për xhaminë e ndërtuar në shekullin XVI, shpresa e vetme është një agjensi joqeveritare turke, e cila ka dhënë një fond të vogël për rikonstruktimin e tij. Shteti shqiptar, nuk ka ofruar asgjë, ndonëse e ka renditur rikonstruksionin e pjesshëm, si një pjesë të suksesit të tij, pa marrë parasysh që paratë ofrohen nga një shtet tjetër, që paradoksalisht duket se vlerëson pasuritë tona kombëtare më shumë se vetë ne.

“Është për të ardhur keq. Nuk di se çfarë të them tjetër. Janë bërë më shumë se 20 vjet që kanë kaluar me shpresën që do të bëhet diçka e bukur dhe e mirë”.

Nga Elbasani, kamerat e “Shqipërisë Tjetër” u drejtuan më thellë në jug, në fshatin e Dhërmiut, ku dallohet e kërrusur kisha e Papandisë, monument culture që prej vitit 1963. E shkalafitur si mos më keq, kisha ka njohur vetëm një ndërhyrje, e cila e ka dëmtuar edhe më shumë, duke i dhënë pamjen e një hauri dhe jo atë të një objekti kulti shekullor.

Brenda saj, realiteti është edhe më i dhimbshëm, me kupolën e gdhëndur dhe të pikturuar të ngrënë nga të gjitha krahët dhe nuk duket e largët dita kur do të rrëzohet plotësisht. Hartat e ujit, ajnë të dukshme midis mureve që mbahen me vështirësi, ndërsa pikturat murale dhe afreskët, ato pak që mbeten, janë drejt zhdukjes së plotë.

Më tej në Vuno, fjalët bëhen të tepërta. Kisha e Shën Mëhill është kthyer në një depo të rëndomtë. Monumenti i kulturës prej 49 vitesh ka dhënë shpirt, pa lënë asnjë shenjë tjetër përveç mureve të tij të gjymtuar.

Kilometra më tej, ngritur në një pozicion dominues mbi Bosht, ndodhet xhamia e Kalasë së Sopotit. Harresa dallohet qartë në këtë objekt të kultit, që është ngritur diku në shekullin e XVII-XVIII. Diku e rrëzuar plotësisht dhe diku e shqyer, xhamia duket se ditët i ka të numëruara.

“Asnjëherë dhe asnjë lek nuk është investuar për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e këtij objekti të rrallë kulti. Asnjë fond nuk është dhënë as edhe për xhamitë e tjera të ndodhura në rrethin e Sarandës”, thotë Nuredin Izeti, antar i Myftinisë së Sarandës.

Nga Borshi në Delvinë, ku në periferi të qytetit ndodhet një prej objekteve më të rralla, jo vetëm islame, por të së gjithë historinë moderne të Shqipërisë. Kompleksi islamik i Xhermahallës lartësohet me vështirësi mes qiparisëve që e rrethojnë.

Pak e dinë se xhamia që ngrihet në këtë kompeks është një prej më të vjetrave në Shqipëri dhe pavarësisht  kësaj, askush nuk është interesuar për t’I rikthyer identitetin e dikurshëm. Krahas saj shtrihet medreseja e vjetër dhe përkrah hamamet, sot të rrethuara në versionin shqiptar brenda një bahçeje, nga një banor i zonës.

E ngritur në vitin 1682, xhamia “Mbret”, monument kulture dhe të gjithë objektet e saj plotësuese, janë lënë në mëshirë të plotë të fatit. Bledar Ali, myftiu i Delvinës, jep dëshminë e tij, të ngjashme me ato të të gjithë të tjerëve përpara tij. “Është me të vërtetë për të ardhur keq, sepse ne me këto objekte krenohemi. Këto objekte kulti janë trashëgimia jonë dhe duhet t’i kushtohet një rëndësi shumë më e madhe, nuk duhen lënë në këtë gjendje të braktisur”.

Shumë kisha e xhamia, regjimi komunist i përçundoi, i objekte e magazine të rëndomta. Ndërsa të tjera i shembi. Po demokracia, këto 21 vjet, çfarë ka bërë ndryshe?

Top Channel