Maturantët sfidojnë me teknologji, Tirana College of Technology promovon inovacionin dhe inteligjencën artificiale Nën emocionet dhe duartrokitjet e të pranishmëve, në qytetin e Kukësit u përurua “Monumenti i Sakrificës”, një vepër kushtuar gjeologëve, minatorëve, metalurgëve dhe punonjësve të energjetikës të Kukësit, Hasit dhe Tropojës.
Ceremonia e cila nisi me prerjen simbolike të shiritit dhe zbulimin e monumentit nga përfaqësuesit e institucioneve vendore, nismëtarët e projektit dhe përfaqësues të komunitetit shënoi një moment të veçantë kujtese dhe mirënjohjeje për ata që sakrifikuan jetën dhe mundin e tyre për zhvillimin industrial dhe ekonomik të qarkut të Kukësit.
Ky monument që vjen si një homazh për mijëra burra dhe gra që për dekada punuan në miniera, uzina dhe sektorin energjetik u realizuar nëpërmjet investitorit kryesor Kastrati Group. Zëvendës presidenti Leonard Kastrati vlerësoi rëndësinë historike dhe njerëzore të kësaj vepre për gjithë rajonin.
“Për Familjen Kastrati është një nder i veçantë të mbështesë këtë nismë përkujtimore, sepse ne besojmë fort se zhvillimi dhe suksesi ndërtohen gjithmonë mbi punën dhe përkushtimin e njerëzve.
Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kontribuan në këtë histori dhe për familjet që mbajnë ende sot peshën e mungesës së njerëzve të tyre të dashur”, u shpreh zëvendëspresidenti i Kastrati Group Leonard Kastrati.
Për realizimin e projektit kontribuan edhe dhjetëra bashkëpunëtorë, artistë dhe profesionistë të fushës. Mesazhe vlerësimi dhe emocionuese përcollën gjithashtu përfaqësues të minatorëve, gjeologëve dhe energjetikëve, të cilët e konsideruan këtë monument si një simbol respekti për brezat që ndërtuan me sakrificë historinë industriale të vendit.
Ceremonia u mbyll mes duartrokitjeve dhe atmosferës artistike tradicionale, duke lënë pas një mesazh të fortë kujtese, respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që me punën dhe jetën e tyre kontribuan në zhvillimin e këtij rajoni dhe të Shqipërisë.
Top Channel