Propozimi i ri i Iranit për SHBA/ Pezullim i projektit bërthamor, por uraniumin ta marrë Rusia. Trump: Koha po mbaron

18/05/2026 19:42

Teherani ka paraqitur një propozim të ri ndaj Uashingtonit, duke lënë të hapur mundësinë e një pezullimi afatgjatë të programit të tij bërthamor.

Presidenti amerikan Donald Trump ndërkohë ka rritur tonet paralajmëruese ndaj Iranit. Gjatë një takimi me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në klubin e tij të golfit në Virxhinia, Trump deklaroi në rrjetin Truth Social se “Irani duhet të veprojë, koha po mbaron”.

Sipas CNN, në mbledhjen për diskutimin e hapave të ardhshëm lidhur me luftën dhe situatën rajonale morën pjesë zëvendëspresidenti J.D. Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe i dërguari special Steve Ëitkoff.
Nga ana tjetër, negociatat duket se vazhdojnë. Agjencia Tasnim raporton se Irani ka paraqitur një propozim me 14 pika, i cili fokusohet në përfundimin e luftës dhe uljen e tensioneve.

Sipas raportimeve të Al Arabiya, të bazuara në burime jozyrtare, Teherani është i gatshëm të pranojë një ngrirje afatgjatë të programit bërthamor, por jo çmontimin e plotë të tij. Sipas këtij skenari, rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar do të transferohej në Rusi dhe jo në Shtetet e Bashkuara. Propozimi përfshin gjithashtu një armëpushim në disa faza dhe hapje graduale të Ngushticës së Hormuzit, me rol garantues të Pakistanit dhe Omanit në rast përshkallëzimi.

Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë njoftuar krijimin e një strukture të re për administrimin e Ngushticës së Hormuzit, të quajtur Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik, ndërsa paralajmërohet edhe vendosja e një tarife për anijet që kalojnë në këtë korridor jetik energjetik.

Top Channel