LIVE/ “UÇK, UÇK, UÇK”! Protesta në RMV për gjuhën shqipe, thirrje për dorëheqjen e kryeministrit. Tre studentë të arrestuar

18/05/2026 17:49

Prej orës 16.30, mijëra studentë shqiptarë, të rinj dhe qytetarë në Maqedoninë e Veriut u ngritën në protestë për gjuhën shqipe.

Protestës së studentëve të juridikut në vendin fqinj ju bashkuan edhe të rinj nga Kosova e Tirana. Flamujt kuqezi dhe thirrjet në kor për “UÇK-në” pushtuan kryeqytetin maqedonas, Shkupin.

Protesta e studentëve shqiptarë u shoqërua edhe me thirrje kombëtare. Po ashtu, gjatë marshimit të tyre, ata kanë kënduar Himnin Kombëtar.

Studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të vendit, Hristijan Mickoski, dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov. Ky i fundit provokoi studentët shqiptarë, vetëm pak orë para protestës, teksa deklaroi se “nuk ka provim në gjuhën shqipe, është çështje e mbyllur”.

Janë rreth 400 studentë shqiptarë, që studiojnë për drejtësi në tre universitetet e Maqedonisë së Veriut, dhe kërkojnë që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe, siç ua lejon ligji.

Kjo është protesta e dytë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ku gjatë tubimit u shoqëruan tre studentë.

18:26 Studentët nga Tirana pranë Shkupit, pjesa tjetër e protestuesve kthehet për t’i pritur

Studentët shqiptarë e nisur nga Tirana janë shumë pranë Shkupit për t’iu bashkuar atyre nga Maqedonia dhe Kosova. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, studentët nga Tirana ndodhen në zonën e quajtur “Ura e Gurit”. Pjesa tjetër e studentëve kanë shkuar t’i presin, për të vazhduar protestën e tyre së bashku.

18:06 Tubimi për gjuhën shqipe në RMV, organizatori Mevlan Ademi: Studentët nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë, protesta jonë është paqësore

Mijëra student shqiptarë janë mbledhur sot në Maqedoninë e Veriut për protestën e tyre për gjuhën shqipe.

“Herën e fundit u ankuan për flamurin shqiptar, ju lutem sot ta ngrini sa më lart flamurin shqiptar. Ne vijmë të protestojmë në mënyrë paqësore. Studentët shqiptarë nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë, ndërkohë që protesta po mbahet në Shkup. Ne po dalim të protestojmë në mënyrë paqësore, por po provokohemi gjatë rrugës”.

17:58 Protesta në Maqedoninë e Veriut, arrestohen tre studentë shqiptarë

Mijëra studentë shqiptarë janë mbledhur në Shkup ku po mbajnë protestën për gjuhën shqipe. Siç bën me dije gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, tre studentë janë arrestuar nga policia maqedonase. Ndërkohë, studentët shqiptarë që janë nisur nga Tirana janë bllokuar në kufi dhe janë kthyer në Kumanovë.

17:36 “Gjuha shqipe amanet”/ Protesta në RMV, studentët shqiptarë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit maqedonas

Në Shkup vijon protesta e madhe e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për gjuhën shqipe. Në thirrjet e tyre, ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të vendit, Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov. Ata gjithashtu dëgjohen duke thirrur: “Gjuha shqipe identitet, gjuha shqipe amanet, gjuha shqipe nuk negociohet”. Këtyre protestave i janë bashkuar dhe studentët shqiptarë nga Kosova, ndërsa ata nga Shqipëria vijojnë të jenë të bllokuar në kufi.

17:28 O sa mirë me qenë shqiptarë”/ Protesta e studentëve shqiptarë në RMV, tubimi shoqërohet me thirrje patriotike dhe Himnin Kombëtar

Gjatë protestës që studentët shqiptarë po mbajnë në RMV, ata kanë kënduar edhe Himnin Kombëtar shqiptar. Po ashtu, tubimi është shoqëruar edhe me thirrje si: ‘O sa mirë me qenë shqiptarë’. Të grumbulluar në Shkup, studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut u janë bashkuar edhe të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.

16:52 “UÇK, UÇK, UÇK”/ Mbizotërojnë ngjyrat kuqezi, studentët shqiptarë mbajnë protestën e tyre në Maqedoninë e Veriut

Mijëra student shqiptarë janë mbledhur në Maqedoninë e Veriut për protestën e tyre për gjuhën shqipe. Të grumbulluar në Shkup, studentëve shqiptarë në RMV i janë bashkuar edhe ata nga Shqipëria e Kosova. Në sheshin ku janë grumbulluar mbizotëron vetëm ngjyra kuqezi, ndërsa të gjithë ata në kor kanë thënë: “UÇK, UÇK, UÇK”.

16:36 Protesta për gjuhën shqipe, studentët në Maqedoninë e Veriut i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur protestën e tyre për gjuhën shqipe. Disa prej tyre janë drejtuar te Gjykata Kushtetuese, duke ngjitur parulla në muret e jashtme të ambientit.Kësaj proteste i janë bashkuar edhe studentët nga Kosova, teksa pritet që shumë shpejtë t’i bashkohen edhe ata nga Shqipëria, të cilët kanë ngelur të bllokuar prej disa orësh në kufi.

16:21 Nis grumbullimi për protestën për gjuhën shqipe, studentëve në Maqedoninë e Veriut i bashkohen dhe ata nga Kosova

Ka nisur grumbullimi i studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në protestën për gjuhën shqipe. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe studentët shqiptarë nga Kosova, ndërsa ata nga Shqipëria janë ende të bllokuar në kufi. Një pjesë e të rinjve nga Shqipëria, të cilët ishin nisur drejt Shkup për të marrë pjesë në protestën e studentëve shqiptarë, janë bllokuar në kufi nga pala maqedonase.

14:23 Ishin nisur në mbështetje të protestës së studentëve në Shkup, të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova bllokohen nga pala maqedonase në kufi, Ademi: Lëshoni vëllezërit tanë

Sot në orën 16:30 do të mbahet protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Një pjesë e të rinjve nga Shqipëria dhe Kosovë, të cilët ishin nisur drejt Shkup për të marrë pjesë në protestën e studentëve shqiptarë, janë bllokuar në kufi nga pala maqedonase. Sipas informacioneve, autoritetet e Maqedonia e Veriut kanë njoftuar institucionet e Kosovës se situata lidhet me një rënie të sistemit të regjistrimit në pikën kufitare.

13:00 Pak orë para protestës së studentëve shqiptarë, Shkupi provokon sërish: S’ka provim në shqip, është çështje e mbyllur

Pak orë para protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Shkupi ka provokuar sërish për mbajtjen e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, ‘nuk ka provim në gjuhën shqipe”. Filkov deklaroi se debati tashmë është i mbyllur dhe se nuk ka më hapësirë për komente shtesë. “Mendoj se ajo çështje është mbyllur. Provimi i jurisprudencës është provim profesional, nuk është proces administrativ. Nuk kemi më për çfarë të komentojmë”, tha Filkov.

Top Channel