“Prej vitesh nuk hyj dot në Kosovë pa lejen e Kurtit”, Vuçiç: Përfaqësuesit e Listës studentore u lejuan menjëherë

15/11/2026 13:34

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar vizitën e përfaqësuesve të Listës së Studentëve në Kosovë, ku ata u takuan me peshkopin Teodosije në Graçanicë, duke pretenduar se ndaj tyre është zbatuar një trajtim i ndryshëm nga ai që, sipas tij, u bëhet atij dhe familjarëve të tij.

Vuçiç deklaroi se prej vitesh nuk ka mundësi të hyjë në Kosovë, madje as në cilësinë e një qytetari privat, ndërsa pretendoi se asnjë nga anëtarët e familjes së tij nuk mund ta vizitojë vendin për arsye private, për shkak të vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.

 “Prej vitesh nuk kam mundur të hyj në Kosovë. As unë si qytetar, e as ndonjë anëtar i familjes sime nuk mund të vijë për vizitë private, sepse Albin Kurti nuk e lejon këtë. Ndërsa ata kanë marrë leje”, deklaroi Vuçiç.

Ai rikujtoi se përfaqësuesit e Listës së Studentëve fillimisht kishin deklaruar se vizita e tyre në Kosovë nuk po zhvillohej në cilësinë e përfaqësuesve politikë.

Megjithatë, sipas Vuçiçit, në një deklaratë të mëvonshme ata kishin bërë të ditur se ishin pritur nga peshkopi Teodosije si përfaqësues të Listës së Studentëve.

“E dinin mirë këtë dhe pikërisht për këtë arsye morën leje”, u shpreh presidenti serb.

Vuçiç u bëri thirrje qytetarëve që, sipas tij, të mendojnë se përse përfaqësuesve të studentëve iu lejua hyrja në Kosovë dhe përse ministri Nenad Rashiq i ka përgëzuar aq shumë.

Ndërkaq, duke komentuar paralajmërimet për ndarjen e pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, Vuçiç tha se mezi pret të shohë se si do të zbatohen në praktikë premtime të tilla.

Top Channel