Mijëra studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të mbështetur edhe nga të rinj nga Kosova dhe Shqipëria, kanë protestuar në Shkup duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje në mbrojtje të gjuhës shqipe, protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa një moment i veçantë tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe rrjeteve sociale.
Në mes të turmës u shfaq një djalë i vogël i veshur me jelek tradicional shqiptar, i cili mbante një pankartë me mbishkrimin: “Mos ma përktheni të ardhmen!!”. Mesazhi i tij u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u kthye në simbolin emocional të protestës.

I pyetur nga mediat për praninë e tij në marshim, vogëlushi deklaroi shkurt: “Mos ma mohoni gjuhën shqipe”.
Protestuesit nisën marshimin nga Ura e Gurit me thirrje si “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Gjuha shqipe amanet”, ndërsa kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov.
Sipas organizatorëve, përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë kushtetuese dhe nuk duhet të kufizohet në sistemin arsimor apo juridik.
Tubimi u shoqërua edhe me tensione, pasi raportohet se policia ka ndaluar tre studentë gjatë protestës. Gjithashtu, studentë të ardhur nga Tirana pretenduan se janë përballur me kontrolle dhe pengesa në kufi apo në hyrje të Shkupit.
Top Channel