Kosova rrezikon 131 mln euro/ BE kërkon përmbushjen e 22 reformave deri më 31 dhjetor, opozita kritikon qeverinë Tre vjet pas miratimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, vlerësimi afatmesëm që e ka bërë Qeveria e Kosovës flet për reforma të vonuara dhe dështime në sektorë kyçë të shtetit raporton “Koha”.
Dokumenti i hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, tregon për ngathtësi në realizimin e shumë aktiviteteve të listuara në dokumentin kryesor strategjik të shtetit, i cili përcakton vizionin dhe orientimet afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
“Shumë masa dhe aktivitete Planit Kombëtar për Zhvillim filluan dhe përparuan, por një pjesë e konsiderueshme nuk përfundoi brenda afatit. Shkalla mesatare e përfundimit të aktiviteteve ishte ndërmjet 25% dhe 50%, me minimum 18% dhe maksimum rreth 58%”, thuhet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030.
Në dokument janë listuar edhe disa nga shkaqet që e kanë prodhuar këtë rezultat. Mes tyre përmenden pasojat nga moskonstituimi i institucioneve në kohë, ndryshimet në mbështetjen e partnerëve zhvillimorë, ndërprerja e programeve të USAID-it dhe sanksionet e BE-së të vendosura në vitin 2023.
Dokumenti tregon se reformat përparuan më mirë aty ku kishin mbështetje të qartë politike, financim të siguruar dhe koordinim të mirë ndërmjet institucioneve.
“Lidhja me buxhetin mbetet pika më e dobët, shkalla e harmonizimit të planeve strategjike me buxhetin ra nga 75% në 38.5% në vitin 2024”, thuhet në dokument.
Te pjesa që i referohet kornizës makro-fiskale, dokumenti tregon se shteti nuk ka pasur performancë të mirë ekonomike.
Probleme janë konstatuar edhe në administratën publike e në diplomaci.
Ndërkaq, ndryshe nga mbrojtja dhe siguria, ku ndarjet buxhetore arritën synimin, dokumenti tregon se drejtësia nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm dhe evidentohet se numri i çështjeve të pazgjidhura u rrit.
Top Channel