“Kundërpeizazhi” i Shimës

09/03/2012 12:40

Kundërpeizash, quhet ekspozita vetiake e piktorit Orion Shima, e cila u hap për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve në kryeqytet.

Rreth 30 punime të ekspozuara formojnë një përmbledhje komplekse. Pikturat e Shimës janë njëkohësisht bashkëkohore dhe pa kohë. Të krijuara në mënyre konceptuale, ato formojne një cikël, i cili e merr frymëzimin nga femijëria e autorit dhe vendet magjike të imagjinatës së tij të hershme.

”Spunton e kam marrë nga një lloj kujtese dhe nga një lloj peizazhi imagjinar. Peizazhi, për mua ka të bëjë me vënien në dyshim artistik të atyre që të rrethojnë. Jo gjithmonë, ajo që përceptojmë si e vërtetë, është e vërteta vetë”, deklaroi Shima.

Kjo është edhe ekspozita e tretë vetjake e autorit. Ajo përmbledh punime të dhjetë viteve të fundit të krijimtarisë së Orion Shimës.   

”Kjo është një ekspozitë me temën e nostalgjisë për vizionin e natyrës, pra të mënyrës se si autori i shihte peizazhet në fëmijëri dhe sot është një lloj simfonie e të gjitha stileve ku protagonistë janë djali dhe dreri”, deklaroi Françesko Poli, kurator i ekspozitës.

Elementet kryesorë që spikasin janë djali, dreri, fluturat dhe natyra. Kjo e fundit, herë e pasqyruar në tërë koloritin e saj rrëzëllitës e herë e zymtë dhe zhveshur nga ngjyrat, por jo më pak realiste dhe e magjishme.

Piktura e Shimës të çon në një botë, ku realja dhe ëndrra bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën dhe perçojnë tek publiku një ndjesi të veçante, duke materializuar në veprat e tij, imagjinatën dhe nostalgjinë për të kaluarën.

Top Channel