Chris Hemsworth do të interpretojë rolin e James Hunt, ish-pilotit britanik të Formulës 1, në filmin e tij më të ri.
Protagonisti i ‘Thor’ do të jetë pjesë e filmit ‘Rush’ që do të tregojë jetën e Niki Laudas, tre herë kampionit të botës në Formulën 1. Filmi do të përqendrohet në rikthimin e kampionit austriak në garat e makinave gjashtë javë pas një aksidenti shumë të rëndë që pësoi me makinën e tij Ferrari dhe që për pak nuk i kushtoi jetën në vitin 1976.
Pas rikthimit, Lauda luftoi për titullin kampion bote pikërisht me pilotin britanik James Hunt, që do të interpretohet nga Hemsworth.
Hunt, i cili vdiq nga një infarkt në zemër në vitin 1993, ka qenë një pilot i njohur në vitet ’70. Në vitin 1976 u shpall kampion bote në sportin e Formulës 1.
Regjisori Ron Howard theksoi: “Lauda dhe Hunt kanë qenë dy yje të garave me makina. Dy profesionistë të vërtetë që në vitin 1976 ishin në kulm të karrierës. Ishin dy personazhe të ndërlikuar dhe rivalë të fortë. Filmi do të tregojë jo vetëm rivalitetin e tyre, por edhe drithërimat e garave të Formulës 1.”
Top Channel