Shtetet në luftë, Armenia tërhiqet nga Eurovisioni

07/03/2012 20:30

Organizatorët e Eurovizionit konfirmuan se Armenia nuk do të marrë pjesë në festivalin e përvitshëm europian, për shkak të tensioneve me fqinjët e Azerbajxhanit, ku do të mbahet edhe shfaqja e madhe.

Azerbajxhani dhe Armenia janë përballur në një luftë që nuk ka ende një armëpushim zyrtar për krahinën e Nagorno-Karabakhut, luftë që ka nisur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe ka lënë mbi 25 mijë të vdekur.

Televizioni Publik i Armenisë (TPA) akuzoi Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për krijimin e një situate të tensionuar për delegacionin armen, duke argumentuar kështu vendimin e tërheqjes.

“Pavarësisht faktit që zyrtarisht autoritetet azerbajxhansase ofruan garanci maksimale për të gjitha vendet pjesëmarrëse, disa ditë më parë, presidenti Aliyev bëri një deklaratë në të cilën armenët konsideroheshin si armiqtë numër një të azerbajxhanasve”, shkruhej në një deklatë të TPA-së.

Vendimi është mbështetur edhe nga një numër i madh këngëtarësh armenë, që në një komunikatë të përbashkët shkruanin: “Ne refuzojmë të marrim pjesë në një eveniment të zhvilluar në një vend që ka realizuar masakra kundër armenëve dhe ku ndienjat e urrejtjes ndaj kombit tonë janë të shndërruar në një politikë shtetërore”.

Baku zyrtar u mjaftua me një deklaratë, në të cilën thuhej se Armenia nuk kishte asnjë arsye të vërtetë për të tërhequr delegacionin e saj nga Eurovizioni.

Top Channel