Afganistan, vriten 6 ushtarë britanikë

07/03/2012 15:10

Gjashtë ushtarë britanikë u vranë të mërkurën në Afganistan jugor, pasi mjeti me të cilin udhëtonin ndeshi me një minë në rrugë.

Kjo është humbja më e madhe e ushtrisë britanike në Afganistan në një ditë të vetme që prej vitit 2006, kur në një aksident mbetën të vrarë 14 ushtarë. Në total, forcat e Mbretërisë së Bashkuar kanë pësuar 404 humbje jete në vend, që prej vitit 2001.

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, foli për një “ditë të trishtë për vendin”. “Çdo vdekje dhe plagosje e ushtarëve tanë na kujton çmimin e lartë të jetës njerëzore, atë jetë që forcat tona të armatosura përpiqen të na sigurojnë të gjithë neve duke mbrojtur vendin nga çdo kërcënim i jashtëm”.

Opozita britanike i ka kërkuar shpjegim qeverisë se përse nuk u morën masa të mëtejshme për të garantuar jetën e ushtarëve, kur ekzistonin raporte të qarta që paralajmëronin për vendosjen e minave në rrugë në zonën e Helmandit.

Të paaftë për t’u përballur me ushtrinë e NATO-s në një luftë ballore, talebanët kanë zgjedhur dy taktike guerrilase që po japin efekt të madh së fundmi. E para është vendosja e minave të fshehura në rrugë, ndërsa e dyta, ajo e inflitrimit të militantëve në trupat policore dhe ato të ushtrisë afgane.

Në një sulm të një militanti të infiltrues, gjeti vdekjen gjatë shkurtit edhe ushtari i parë shqiptar në misionin tonë në Afganistan, kapiten Feti Vogli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA