Presidenti serb Boris Tadiç ka reaguar pas zgjedhjes president të Vladimir Putin, duke thënë se gjatë lidershipit të tij Serbia do të forcojë marrëdhëniet “historike” me Rusinë.
“Dy vendet duhet të zhvillojnë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike në nivelet më të mira të mundshme”, ka deklaruar Tadiç.
Më tej, duke uruar Putin për fitoren në zgjedhje, Tadiç ka nënvizuar se raportet me Rusinë do të mbeten në planë të parë, pavarësisht prioriteteve evropiane të Serbisë.
“Qëllimi strategjik i Serbisë është të bëhet anëtare e BE-së, por Beogradi dëshiron të ruajë dhe zhvillojë marrëdhëniet ekonomike me Rusinë”, ka nënvizuar Tadiç.
Rusia ishte vendi që kundërshtoi ashpër pavarësinë e Kosovës me argumentin se do të përbënte një preçedent të rrezikshëm dhe paralajmëroi vendosjen e vetos në Këshillin e Sigurimit.
Putin u rizgjodh president i Rusisë, pasi kaloi 4 vite si kryeministër, në zgjedhjet e diskutueshme të së dielës ku mori mbi 60 për qind të votave, duke lënë pas kundërshtarët e tij.
Tani, me një mandat të zgjatur në 6 vjet, ai do të mund të rikandidojë sërish në përfundim të tij dhe sipas gjasave pritet të zgjidhet për të katërtën herë.
Me këtë rizgjedhje në krye të Kremlinit, mediat ndërkombëtare e kanë pagëzuar ish-oficerin e KGB-së si Carin e ri të Rusisë.
Top Channel