Aleancë sllave edhe në letërsi

05/03/2012 19:45

Shkrimtari maqedonas Aleksandar Prokopiev, është shpallur fituesi i cmimit letrar “Ballkanika”, në edicionin e tij të 15-të, me vellimin me tregime “Përralla për të rritur”.

Në vlerësimet për këtë festival, kryetari i jurisë, profesori amerikan i historisë dhe letërsisë së Ballkanit, Andrew Wachtel, tha se romani i shkrimtares shqiptare Mira Meksi, “E kuqja e demave” i bëri një përshtypje të jashtëzakonshme jurisë, si një roman që e zhvendos letërsinë shqipe në drejtime të reja. Sipas autores, “E kuqja e demave” ishte prurja më e mirë në gjininë e romanit për jurinë.

“Ne nuk fituam ‘Ballkanikën’ si Shqipëri, por fituam vlerësimin më të lartë për gjininë e romanit ‘E kuqja e Demave’. Fitoi cmimin autori i vendit ku u zhvillua ky edicion i 15-të, pra maqedonasi, me një përmbledhje tregimesh për të rritur, një metafor e gjatë. Por, dua të them se është shumë i rëndësishëm ky aktivitet dhe ky vlerësim që ne morëm për romanin”, thotë shkrimtarja Mira Meksi.

Fatmir Toçi, anëtar nga Shqipëria i fondacionit ‘Ballkanika’, vlerëson se edhe këtë vit Shqipëria nuk arriti të marrë çmimin e parë, vetëm për shkak se përfaqësuesit e shteteve sllave votuan njëri-tjetrin.

“Ka ndodhur ajo që na ka ndodhur edhe në dy raste me dy autorë shqiptarë që me debate të komisionit vetëm për një votë ndoshta për arsye të një protagonizmi të pamotivuar të disa vendeve sllave autorët shqiptarë nuk vlerësohen. Kjo u dukë qartë edhe në vlerësimet që bëri kryetari i jurisë dhe organizatorët e këtij cmimi ‘Ballkanika’. Me sa jam i informuar unë është diskutuar për një mënyrë tjetër vlerësimi sepse po ndodh ajo që ndodh me Eurovizionin”, deklaron Fatmir Toçi, shtëpia botuese ‘Toena’.

 “Ballkanika” është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore, që vitet e fundit po evidentohet si një lloj çmimi” NOBEL” në letërsinë ballkanike. Aktualisht, në Festivalin e Letërsisë Ballkanike marrin pjesë 7 vende. Vitin e ardhshëm këtij numri mund t’i shtohet edhe Kosova, por edhe disa vendet tjera të rajonit.

Top Channel