Filmi “Maya” në Beograd

03/03/2012 01:30

“Maya” është duartrokitur edhe në kryeqytetin serb. Në jubileun e 40 të Bgfest festivalit të filmit, filmi shqiptar i regjisorit Pluton Vasi është duke marrë pjesë në kategorinë e filmave në konkurrencën Evropa Jashtë Evropës.

Në kinemanë e madhe të Qendrës së të Rinjve, ekipi shqiptar ka prezantuar këtë film si një raport të individit me shtetin, por edhe me ngërçin që krijon një faktor i jashtëm në një shoqëri të vogël dhe të izoluar.

Filmi tregon historinë e një shqiptari, biri i një të përndjekuri që kthehet dhe dashurohet me gruan e kushëririt të tij Maja, dhe përkundër thashethemeve, regjisori e lë gjallë në fund personazhin duke dashur të simbolizojë shpresën e një shoqërie.

Për regjisorinVasi Bgfest ka qenë një eksperiencë e mirë.

“Është ndër gjërat e rralla që kam përjetuar në jetën time. Salla që ishte e mbushur, konferenca apo i gjithë interesimi që ndodhi. Për mua është një eveniment. Beogradi dhe Ballkani përbën një kompeticion të mirëfilltë për kinemanë”, tha regjisori Pluton Vasi.

Audienca e ka pëlqyer për vizionin që nga Shqipëria në Serbi. Por, mbi të gjitha për universalen që trajton.

“Më pëlqen vendi në të cilin është filmuar, ka një peizazh të mrekullueshëm. Kurse filmi më pëlqen sepse mund të vendosej shumë lehtë në një vend të vogël tek ne dhe kjo tregon se sa të ngjashëm jemi”, thotë një spektatore.

“Është interesante përplasja që ka individi në një vend të vogël dhe problemet që provincat e kanë zakonisht e që ekziston gjithandej prej më shumë se 150 vjetësh”, thotë një tjetër.

Filmi “Maya” është realizuar nga Qendra Kinematografike Shqiptare me mbështetjen e Ministrisë së Komunikimit dhe në bashkëprodhim me DigitAlb.

“Maya” ka fituar disa çmime ndërkombëtare dhe është shfaqur edhe në disa festivale si në Angli, Indi apo Kinë.

Top Channel