Probleme me kordat vokale për Celine Dion

01/03/2012 10:15

Celine Dion ka anulluar koncertet e saj të katër muajve të ardhshëm për shkak të një virusi që i shkakton probleme në kordat vokale.

Mjekët e kanë urdhëruar këngëtaren kanadeze të bëjë pushim deri në muajin qershor dhe ky është një lajm i keq për kazinonë Caesar’s Palace në Las Vegas, vendi ku vokalistja jep koncerte.

“Javën e kaluar po mundohesha të këndoja dhe nuk kisha aspak kontroll mbi zërin tim. Menduam se pas disa ditësh pushimi do të përmirësohesha, por situata nuk ndryshoi”, u shpreh 43-vjeçarja.

“Doktorët më kanë siguruar se do të rikthehem në 100% pas pushimit, por më vjen keq për fansat që nuk do më shohin dot në skenë”, shtoi këngëtarja për mediat amerikane.

“Kjo është padyshim gjëja më e keqe për një këngëtar, të mos jesh në gjendje të mbash një koncert. Më vjen shumë keq. Shpresoj që fansat të më falin”, shtoi Celine Dion.

Top Channel