Panairet e punësimit

01/03/2012 19:25

Kur jemi jashtë tregut të punës dërgojmë pafund CV në kompani të ndryshme që ndonjëherë rezultojnë të suksesshme e ndonjëherë jo. Por, ndoshta jemi duke kërkuar në vendin e gabuar.

Panairi i punësimit është një mundësi jo vetëm për studentët, por edhe për ata që kanë dalë nga tregu i punës. Loreta, drejtoresha e dhomës amerikane të tregëtisë në Shqipëri tregon për eksperiencën 11-vjeçare me punëkërkuesit dhe punëdhënësit.

“Për vite të tëra, panairi që ka bërë Dhoma Amerikane e Tregëtisë ka qenë i vetmi panair që ka qenë në tregun e punës. Shoh si diçka pozitive faktin që është rritur numri i panaireve që organizohen”.

Dy vitet e para panairi ka pasur fokusgrup vetëm studentët, por vitet në vazhdim kishte kërkesa edhe për punonjës me eksperiencë. Këtë vit, panairi i radhës do organizohet javën e tretë të majit.

“Në mënyrë të veçantë, ne po punojmë sivjet për ato që studentët i njohin ndryshe si praktika pune. Janë praktika pune që mund të vijnë ose gjatë periudhës së vitit të fundit të shkollës ose menjëherë pas përfundimit të studimeve. Shpresojmë shumë që sivjet të kemi një rritje të numrit të vendeve që kompanitë ofrojnë për të interesuarit”.

Disa nga profilet kryesore të punësimit kanë qenë: juristët, ekonomistët, inxhinierët, IT-a, por duket se kërkesat kanë qenë nga më të ndryshmet, madje edhe për inxhinier avionësh.

“Mesatarisht, për çdo vend pune kemi konstatuar se aplikojnë 7-10 persona. Numri ka ardhur në rritje. Nëse vitin e parë më kujtohet që kemi patur 11 kompani që ofronin praktikat e tyre dhe kanë qenë diku tek 20 veta që janë punësuar, tani ka arritur diku tek 100 të punësuar në vit”.

Panairet e punësimit funksionojnë në të gjithë botën. Aty të jepet një mundësi punësimi, nëse je i zoti fitoje.

Top Channel