Transporti për mësuesit

29/02/2012 16:10

Ministria e Arsimit ka vendosur të heqë të gjitha linjat e transportit për mësues e nxënës, në zonat ku funksionon transporti publik. Paga e këtyre mësuesve ka një rritje prej 1800 lekësh dhe bileta do të kompensohet nga shteti.

“Ndryshe nga proçedurat e vjetra, që bëheshin me tendera në çdo drejtori arsimore, tani të gjitha linjat janë të liçencuara. Në fund të muajit mësuesit do të dorëzojnë biletat dhe do të marrin lekët. Kjo për mësuesit që udhëtojnë mbi 5 dhe nxënësit mbi 2 kilometra, për të tjerët do bëhet me tender”, ka sqaruar Florian Nurcaj, përgjegjës i sektorit buxhetor në MASH.

Tendera do të zhvillohen për zonat ku nuk ka transport publik. Nga të dhënat zyrtare mësohet se nga 12 mijë mësues, 10 mijë duhet të udhëtojnë përmes linjave që duhet të tenderohen.

Nga ana tjetër ministria ka prioritet punësimin e mësuesve të rinj, që jetojnë pranë zonave ku janë shkollat.

“Ka mësues nga zona si Baldushku, që janë me master dhe të gatshëm për të punuar, që mund të zëvendësohen me mësues nga Tirana e rrethe të tjera. Kjo është një prioritet dhe tani nuk është më nevoja që nga Tirana të shkojnë në Kukës, siç ka qenë vite më parë”, ka sqaruar Nurcaj.

Në të gjithë vendin numërohen 12 mijë mësues që udhëtojnë mbi 5 kilometra për të shkuar pranë shkollave dhe rreth 23 mijë nxënës. Në shumë shkolla të vendit mësuesit nuk prononcohen për këtë vendim pasi kanë frikë se mos humbasin vendin e punës.

Top Channel