Debati për drejtuesit e shkollave

25/02/2012 16:50

Mësues, drejtues shkollash dhe përfaqësues të sindikatave të arsimit mirëpresin ligjin e arsimit për sistemin parauniversitar, por kundërshtojnë procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të arsimit dhe drejtorit të shkollës.

Ligji i ri parashikon që drejtuesit e shkollave dhe mësuesve të zgjidhen nga një këshill përzgjedhës i cili krijohet dhe vepron me bazë të akteve normative  të nxjerra nga Ministria e Arsimit.

Por vetë arsimtarët dhe shoqëria civile  mendojnë se kjo praktikë  nuk sjell të reja, por lë politikën e emërimeve sërish në dorë të ministrisë.  

Istref Haxhillari, Sindikata e Arsimit, Pogradec: Mënyra e re e punësimit të mësuesve me anë të propozimit të një bordi shkollor me një bazë të gjërë, mendojmë që i heq rrugën subjektivizmit dhe sidomos influencave politike që kanë sjellë jo pak dëme. Do bëhet propozimi nga një bord me bazë të gjërë, ku do ketë, prindër, nxënës, mësues, përfaqësues të pushtetit lokal dhe mbi bazën e këtij propozimi do të bëhet edhe punësimi i mësuesve. Mendojmë që duke hequr të drejtën vetëm një personi që mund të manovronte apo të bënte gabime, në këtë rast vendimi do të jetë kolegjial dhe mundësia është me e vogël për subjektivizëm.

Enriketa Zeqo: Sindikata e Arsimit, Berat: Për mua duhet të veprojë i njëjti komision, si për emërimin e drejtorëve dhe mësuesve, ashtu edhe për lirimin e tyre gjë që do t’i priste rrugë subjektivizmit sepse aktualisht ligji nuk e përcakton që mësuesi lirohet nga i njëjti komision, por e cilëson që lirohet nga detyra me mendimin e drejtori.

Pertef Çela, Sindikata e Arsimit, Vlorë: Duhet bërë akoma përmirësim përpara se sa të kalojë në parlament. Mendoj se kriteri i emërimit të mësuesve duhet të bëhet nga një bord i mirëpërcaktuar. Kjo do t’i bënte mirë punës në arsim, pasi puna në arsim ka të bëjë me të ardhmen e kombit dhe nuk i përket asnjë qeverie që mund të jetë kalimtare për katër apo tetë vjet. Po kështu edhe për drejtorin e shkollës që emërohet nga drejtori drejtorisë, një emërim shpresh politik, ku nuk gjen as mbështetjen e mësuesve që ai drejton.
 
Projektligji  është konsultuar nga shoqëria civile  dhe lëvizja Alternativa Civile e cila ka nisur një tur takimesh me komunitetin e mësuesve nëpër rrethe për të marrë mendimet e tyre.

Sipas alternativës civile drejtori  i arsimit dhe drejtori i shkollës  duhet të zgjidhet nga bordi i shkollës dhe komuniteti me qëllim për të mos lejuar politikën e ndërhyjes dhe që më pas të mos ketë shkarkime mesuesish sipas bindjeve partiake sa herë që ndërrohen qeveritë.

Të gjitha këto cështje u diskutuan edhe në mbledhjen e këshillit drejtues të federatës së sindikatave të arsimit.

Top Channel