Meryl Streep ka fituar çmimin Bafta si aktorja më e mirë për interpretimin e saj në filmin ‘The Iron Lady’, ku aktorja e famshme luan rolin e ish-kryeministres së Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher.
62-vjeçarja mundi konkurrencën e aktoreve Michelle Williams, Viola Davis, Tilda Swinton dhe Berenice Bejo. Ky është çmimi i dytë Bafta në karrierë për Streep pas atij të fituar në vitin 1981 për interpretimin e filmit ‘The French Lieutenant’s Woman’.
Në kategorinë e meshkujve, aktori më i mirë u shpall francezi Jean Dujardin për interpretimin në filmin pa zë ‘The Artist’. Dujardin la kështu duarbosh aktorë si Brad Pitt, George Clooney, Gary Oldman dhe Michael Fassbender.
Filmi ‘The Artist’ u shpall si më i miri, ndërsa çmimi për regjisorin më të mirë i shkoi Michel Hazanavicius, regjisorit të ‘The Artist’.
Ceremonia e ndarjes së këtyre çmimeve u zhvillua në Royal Opera House të Londrës.
Top Channel