CEZ: Akuzat nuk janë të vërteta

10/02/2012 19:35

Kompania e shpërndarjes së energjisë CEZ, deklaron se denoncimi  bërë në Prokurorinë Tiranës  me pretendimin se  konsumatorët janë mbifaturuar apo se kompania ka abuzuar duke i shkaktuar dëm fianciar edhe shtetit, është spekullim.

“Kjo është një histori tërësisht e trilluar e bazuar mbi fakte qëllimisht të shtrembëruara, me synimin e vetëm për të paraqitur një panoramë negative dhe realisht të pavërtet”, thotë Martin Nemecek, anëtar i Bordit të Drejtorëve.

Duke iu referuar denoncimit në Prokurorinë Tiranës kompania CEZ  jep shpjegime për cdo fakt të pretenduar. Duke  iu referuar denoncimit për mbifaturim CEZ thotë se nuk është e mundur ndarja  e konsumit sipas fidrit 330 në Tiranë sepse ai alternohet në furnizim në një tjetër fidër me numër 312.

Konkretisht, thotë CEZ, në muajin janar, në dy fidrat, si 330 dhe 312 kanë hyrë  7.200.000 kilovat dhe janë faturuar vetëm 4.605.855 kilovat . Pra, sipas CEZ, më pak sesa janë furnizuar.

Duke iu referuar faktit të dytë në denoncim CEZ thotë se metodologjia e llogaritjes së dëmit shkaktuar kompanisë është e përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë dhe se të gjitha rastet e konstatuara jo në përputhje me vendimin e ERE-s janë anuluar.

Për denoncimin e kontratave provizore CEZ thotë këto kontrata janë aplikuar për të gjithë konsumatorët të cilët janë gjetur me lidhje të paligjshme në rrjet, por sipas CEZ, këta konsumatorë në mënyrë të qëllimshme kanë shmangur lidhjen e  kontratës së furnzimit me energji elektrike.

Edhe për aplikimin e kamatës CEZ thotë se kjo kamatë-vonesë aplikohet në përputhje me Kodin Civil dhe kushtet  e kontratës së miratuar nga ERE.

Sipas CEZ është spekulim kur thuhet se debitorët  nuk ndërpriten me qëllim që ndaj tyre të aplikohet kamatë-vonesa. Sipas CEZ aplikimi i kamatë-vonesës nuk lidhet me ndërprerjen e energjisë, por fillon kur nuk paguhet fatura.

Duke iu referuara fakti të pestë në denoncim, CEZ thotë se në ndryshim nga vitet e kaluara për leximet mbi 30 ditë klienti faturohet me vlerë monetare më të vogël.

Së fundi në deklaratën e CEZ në lidhje me akuzën për  abuzimin me gjendjen në magazinë  për të rritur fiktivisht shpenzimet, kompania deklaron se vitet e fundit është kthyer në fenomen masiv vjedhja e kabllove të bakrit në rrjetin e shpërndarjes dhe transformatorëve, dhunimi i kabinave elektrike për skrap, gjë e cila përvecse i krijon konsumatorëve probleme në furnizimin me energji, por i shkakton kompanisë edhe humbje të konsiderueshme financiare.

Top Channel