Irani tejkalon shifrat e vitit 1981, ekzekuton mbi 2 mijë persona brenda 2025-ës

18/05/2026 21:25

Irani ka ekzekutuar një numër “tronditës” prej 2.159 personash më 2025, u tha në raportin e Amnesty International të publikuar më 18 maj.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, numri i ekzekutimeve ka tejkaluar rekordin e vitit 1981 të regjistruar në këtë shtet. Amnesty International tha se të paktën 2.707 persona u ekzekutuan në mbarë botën vitin e kaluar, edhe pse dënimet me vdekje të shqiptuara në Kinë nuk janë përfshirë në këtë shifër.

Organizata me seli në Londër njoftoi se “mijëra ekzekutime” janë kryer në Kinë, shtetit që përdor më së shumti dënimin me vdekje. Amnesty tha se shifra globale për vitin 2025 – që përfshijnë ekzekutimet në Arabinë Saudite, Kuvajt, Egjipt, Jemen, Singapor dhe Shtetet e Bashkuara – paraqet rritje për më shumë se dy të tretat, krahasuar me shifrën e përgjithshme më 2024.

Në veçanti, “rritja tronditëse e ekzekutimeve të regjistruara në Iran” erdhi në kohën kur autoritetet “intensifikuan përdorimin e dënimit me vdekje si mjet shtypës politik dhe të kontrollit”, veçanërisht pas luftës së qershorit të vitit 2025 me Izraelin.

Amnesty dhe grupe të tjera për të drejtat e njeriut kanë thënë se Teherani po intensifikon përdorimin e dënimit me vdekje pas protestave masive antiqeveritare në janar dhe luftës që më pas shpërtheu ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Top Channel