Kanani fiton “Onufri”-n

02/02/2012 15:35

Piktori shkodran Sidi Kanani është vlerësuar nga juria me çmimin e parë në ekspozitën e përvitshme “Onufri”, e cila këtë radhë i kushtohej “Pikturës së Jetës Moderne” bazuar në një ese me të njëjtin emër të poetit francez Charles Baudelaire.

“Ndihem i vlerësuar dhe më jep përgjegjësi më të madhe ky çmim. Me anë të veprave të mia tentoj t’i afrohem zonave të braktisura në periferitë e Shkodrës”, shpprehet piktori Kanani.

Cikli enigmatik i pikturave te Kananit, përmes një palete të zbehtë ngjyrash dhe elementëve arkitekturorë, sjell tek publiku një tension kohor midis të shkuarës dhe të tashmes dhe nxjerr në pah premtimet e rreme të modernes.

Cmimi i dytë ju dha Shpëtim Kërçovës. Juria vlerësoi tre pikturat e paraqitura prej tij duke i cilësuar si përcjellëse të një të qeshure ironike të grave të kohëve moderne që përmes groteskut paraqesin realitetin e zymtë që godet forcat e margjnalizuara të shoqërisë së sotme.

Ky edicion i Onufrit ka sjellë pranë publikut punët më të arrira të mbi 20 artistëve shqiptarë. Piktura e jetës moderne ka paraqitur një mënyrë ndryshe të pari mbi artin tonë, duke u nisur nga nocioni i modernitetit, të cilin këtë herë e ka kërkuar në Shqipëri, duke sjellë më pranë artdashësve krijime të ndryshme, si fotografi të viteve ‘15-‘30, piktura të viteve ‘60-‘80, por edhe vepra artistike të ditëve tona.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 shkurt.

Top Channel