“E Diell” rikthehet ndryshe

31/01/2012 19:45

Një format ndryshe dhe me shumë risi. Alban Dudushi dhe Xhemi Shehu kanë nisur puntatën e parë të së “Diellës” në këtë sezon të ri.

Rubrika të reja si “Kinema Quiz”, “profil kornizë”, “bit box” apo dasmat shqiptare janë sjellë në vëmendje nga autorët Alban Dudushi dhe Altin Basha.

“Një nga pikat më të forta është “Kinema Quiz” që do të përqendrohet tek kinemaja shqiptare”, thekson Alban Dudushi.

Historia e një personi që rrëfen historinë e tij. Pasionin dhe dëshirat që jeta i detyroi ta ndërprisnin ose ta vazhdonin në kushte të vështira.

“Kemi tentuar të mos marrim personazhe të njohur, por personazhe të cilët i nxjerrim nga anonimati. Janë personazhe me dëshirë për të punuar, kanë një ide, por nuk kanë çarë dot rrugën për të bërë atë që duan të bëjnë”, shton Dudushi.

Kultura e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë vjen nëpërmjet një atmosfere të gëzueshme siç është DASMA. Altini, ideatori i kësaj rubrike na tregon më shumë se si lindi ideja për të sjellë tek “E Diell” traditën shumëvjeçare të festimit të dasmave në treva të ndryshme.

“Duke u nisur nga fakti se ky është një vit i veçantë në historinë e shqiptarëve ne donim të kishim një ndjesi tradite dhe të trashëgimisë kulturore në emisionin E Diell”, shpjegon Altin Basha.

E para ishte dasma shkodrane. Shkodranët e treguan edhe këtë herë bashkëpunimin dhe shpirtin e tyre artistik.

Stafi ka filluar përgatitjet. Provat kanë filluar. Kultura e një tjetër qyteti do të vijë në këtë të dielë.

“Do të vijë një dasmë shumë e veçantë nga një trevë e mbushur me muzikë, gëzim, hare, kostume të veçanta dhe jam i bindur se për publikun do të jetë e paharruar”, shprehet Basha.

Top Channel