Spahiu: Parlamenti s’më shkarkon dot

20/01/2012 18:20

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu e ka cilësuar si të paligjshme nismën e mazhorancës qeverisëse për shkarkimin e tij nga ky post.

Në një intervistë për VOA, Spahiu ka theksuar se Parlamenti nuk ka autoritet për ta bërë një gjë të tillë dhe se në rast të kundërt i bie që ky institucion të shkelë Kushtetutën.

“Parlamenti mund të hetojë apo shkarkojë presidentin, Avokatin e Popullit, apo kreun e KLSH-së, për shkak të pozicionit kushtetues. Ndërsa për nënkryetarin e KLD-së apo anëtarët, Kushtetuta nuk parashikon shkarkimin nga Parlamenti por nga vetë lidershipi i KLD-së. Këtu kemi një konflikt. Kuvendi s’mund të marrë kompetenca që nuk i ka”, ka deklaruar Spahiu.

Ai ka theksuar se me angazhimin e tij në krye të Aleancës Kuqezi nuk ka shkelur asnjë ligj dhe asnjë amendament të Kushtetutës, edhe pse disa nga kërkesat e fundit të kësaj lëvizjeje kanë qenë me karakter politik.

“Unë jam i përfshirë në aktivitete qytetare dhe jam krenar për këtë. Këtu nuk ka konflikt ligjor, as kushtetues, sepse një lëvizje qytetare mund të kërkojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe garantimin e votës, sepse kjo është një e drejtë kushtetuese dhe ligjore”, ka deklaruar Spahiu, duke shtuar se do të dorëhiqet vetëm kur AK të kthehet në subjekt politik.

“Pesë ditë para se të kërkohej nga kryeministri shkarkimi im në Kuvend, kam bërë një deklaratë publike për dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të KLD-së, pasi kthimi i Aleancës Kuqezi në parti politike nuk ma lejon më”, ka pohuar Spahiu.

Duke folur për mbledhjen e para pak ditëve të komisionit parlamentar të ligjeve, Spahiu e ka krahasuar atë me mbledhjet e byrosë politike në kohën e regjimit komunist.

“Ishte një mbledhje njësoj si Enver Hoxha kur bënte mbledhjen e byrrosë. Megjithatë, Hoxha i lejonte të tjerët të flisnin, ndërsa unë nuk u dëgjova dhe u kërkua nga garda që unë të largohesha nga Parlamenti”, ka thënë Spahiu.

Ai është shprehur se Aleanca Kuqezi është ndër lëvizjet e pakta qytetare e shtrirë në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë dhe përballja e saj me qeverinë vjen si pasojë dy mentaliteteve dhe doktrinave të ndryshme.

“Institucionet kanë pasur nevojë për një ndjenjë më të fortë patriotizmi. Nuk më takon mua të them se kur do të krijohet partia, por ajo synon të anëtarësojë mijëra simpatizantë kuqezinj nga të gjitha trevat”, ka shtuar Spahiu.

Ditën e martë, në përvjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Aleanca Kuqezi shpalli programin politik të këtij grupimi.

Ndërsa një ditë më parë ajo kritikoi qeverinë për vendimin për varrezat e reja të ushtarëve grekë, që u mor nga ekzekutivi para pak kohësh. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA