Endri Xhafo – “Gozhda” e Presidentit është kuorumi për zgjedhjen e tij, një moment
procedural pas të cilit opozita duket se ka ndër mend të kapet, për të
mos u ndier e huaj në shtëpinë e përbashkët, Kuvendin e Shqipërisë.

Por në këtë rast ia vlen të kujtohet, qoftë edhe shkarazi, se ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, prej nga buron kjo ndjesi përjashtimi, ishin fryt i konsensusit të gjerë mes po kësaj opozite dhe mazhorancës në pushtet.

Nuk ia vlen të ndalemi gjatë tek arsyet e brendshme që shtynë secilën prej palëve për të dhënë pëlqimin për këto ndryshime, por e vërteta është se duke suprimuar shumicën e cilësuar për zgjedhjen e kreut të shtetit, këto ndryshime evitojnë krizën politike në vend (ndonëse në origjinë, autorët e Kushtetutës së vitit 1998 nuk e panë zgjedhjen e Presidentit si moment krize, por si moment paqtimi dhe detante). Shumica që nevojitet sot për të zgjedhur Presidentin në raundin e katërt dhe të pestë, është vetëm 71 vota. Me këtë shumicë zgjidhej in fine Presidenti edhe në versionin e mëparshëm të Kushtetutës, por vetëm pasi Kuvendi shpërbëhej dy herë radhazi për mosarritje të shumicës së cilësuar prej 84 votash (shiko Kushtetutën e vitit 1998, neni 87, pikat 7, 8 e 9). Duke e bërë nul këtë perspektivë krize, që mund të zgjaste deri në 6 muaj, ndryshimet kanë zhvlerësuar sot de facto tre raundet e para. Por me zhvlerësimin e tre raundeve të para, procesi përjashton realisht njërën prej palëve, atë palë e cila në momentin e zgjedhjes së Presidentit ndodhet në opozitë.

Opozita mund të përfshihet në proces vetëm nëse në tre raundet e para, – ku për të zgjedhur Presidentin lipset shumicë e cilësuar vendimmarrje, – do të kërkohet e njëjta shumicë e cilësuar për pjesëmarrje. Që do të thotë se, nëse opozita nuk paraqitet në Kuvend, seanca plenare konsiderohet nul dhe e pazhvilluar. Mirëpo kjo do të kishte efekt ekuivalent me dispozitat bllokuese të vendimmarrjes, që u suprimuan më 21 prill 2008. Duke i rivendosur ato në një formë tjetër, rikthehet pikërisht perspektiva e krizës politike si shprehje e mungesës së konsensusit. Dhe ky për momentin, është thelbi i debatit!

Kushtetuta në fakt nuk e përmend në mënyrë eksplicite kuorumin. Pra Kushtetuta nuk shprehet për ndonjë karakter të jashtëzakonshëm apo të veçantë të seancës së zgjedhjes së Presidentit. Në nenin 78.1 Kushtetuta thotë vetëm që “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”. Ky përcaktim, ku përmendet shumica e cilësuar, – që ka të bëjë në thelb me vendimmarrjen dhe jo me kuorumin e seancës, – gjendet edhe në rregulloren e Kuvendit (neni 55, pikat 1 e 2). Në këtë kuptim, kuorumi i nevojshëm për të çelur seancën është 71 deputetë (50% + 1); në këtë kuptim, seanca mund të çelet në prani të 71 deputetëve, të përmbajë disa pika në rendin e ditës, për miratimin e të cilave lipsen vetëm 36 vota (pra më shumë se gjysma e gjysmës së deputetëve të pranishëm) dhe në momentin e votimit të Presidentit, pavarësisht mungesës së 84 vota pro (dhe eventualisht edhe të 84 deputetëve në sallë), seanca plenare mund të vijojë normalisht, deri në raundin e katërt e të pestë, ku hyn në lojë kuorumi dhe shumica prej 71 deputetësh.

Ata që e kundërshtojnë këtë interpretim i referohen rregullores së Kuvendit, që parashikon se “drejtuesi i seancës plenare, kur lexon rendin e ditës në fillim të seancës, duhet të lexojë edhe shumicën që duhet për çdo projektligj apo projektvendim” (neni 55.3 i Rregullores). Për të vijuar me dispozitën që i imponon drejtuesit të seancës ta ndërpresë atë, nëse për miratimin e njërës prej pikave të rendit të ditës mungojnë votat e nevojshme. “Në rast anulimi, drejtuesi i seancës plenare përcakton ditën e nesërme, me kusht që ajo të mos jetë ditë pushimi, si ditë në të cilën Kuvendi do të mblidhet me të njëjtin rend dite, duke deklaruar njëkohësisht edhe orën e votimit për atë rend dite” (neni 56.3 i Rregullores).

Mirëpo në bazë të parimit të hierarkisë kushtetuese, Kushtetuta primon mbi Rregulloren e Kuvendit. Dhe Kushtetuta thotë në mënyrë eksplicite se për zgjedhjen e Presidentit të Republikës “votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat”; me fjalë të tjera, kur nuk ka konkurrim! Kështu ndodhi pikërisht në procesin që nxori President të Republikës Bamir Topin, ku edhe çështja e kuorumit nuk u diskutua fare, por u kalua, javë pas jave, sipas afateve të Kushtetutës, nga raundi i parë në të katërtin.

Deri vonë mes socialistëve pakkush (për të mos thënë askush) e përmendte kuorumin si një mjet që do t’i lejonte opozitës të luante ndonjë rol në zgjedhjen e Presidentit. Por ajo që ndryshoi vitin e kaluar ishte pikërisht interpretimi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës i bëri zgjedhjes së Behxhet Pacollit si President i Republikës së Kosovës.

Mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës është thuajse identike me atë të Shqipërisë, vetëm se atje ka 3 raunde; shumica e cilësuar prej 2/3 kërkohet në raundin e parë dhe të dytë, kurse në raundin e tretë mjafton shumica e tërë anëtarëve të Kuvendit + 1 votë, shumicë që atje, për shkak se Kuvendi ka 120 deputetë (pra 20 më pak se në Shqipëri), zbret në 61 deputetë (shiko Kushtetuta e Kosovës, neni 86).

Kur Behxhet Pacolli u zgjodh deputet, në fillim të seancës kishte 81 deputetë, pra një kuorum i barabartë me shumicën e cilësuar për vendimmarrje. Vetëm se në raundin e parë dhe të dytë morën pjesë në votim më pak se 81 deputetë. Në raundin e tretë Behxhet Pacolli fitoi me 62 vota, aq sa normalisht do të mjaftonte për ta zgjedhur atë president. Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se kishte pasur shkelje të nenit 86 të Kushtetutës, duke e interpretuar atë si një nen që parashikonte “në mënyrë të qartë se [në garë] duhet të ketë më shumë se një kandidat” (Gjykata Kushtetuese e RKS, rasti Nr. KO 29/11). Duke ardhur te votimi, Gjykata vlerësoi se ishte shkelur detyrimi që “të gjithë deputetët duhet të votojnë” (Ibid.). Njëjësimi i kuorumit me vendimmarrjen u vu në dukje në mendimin kundërshtues të pakicës, gjyqtarit amerikan dhe atij portugez. Sipas dy gjyqtarëve të vetëm perëndimorë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, “kuorumi dallon nga votimi”, ku “kuorumi është numri minimal i anëtarëve të një Kuvendi votues” (Ibid.).

Sidoqoftë, ndryshimi thelbësor mes rastit të Kosovës dhe Shqipërisë mbetet parashikimi eksplicit i Kushtetutës shqiptare se “votimi [për Presidentin] quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat” (neni 87.2). Kjo formalisht nuk i pengon socialistët që nëpërmjet grupit parlamentar të dorëzojnë një kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili legjitimohet nga Kushtetuta për ta bërë këtë, ka refuzuar ta bëjë, për të mos u përzier në një çështje me konsiderata sidomos partiake.

Thënë kjo, Presidenti i ri, edhe në u zgjedhtë “sipas Kushtetutës”, siç u zotua Kryeministri Berisha pak ditë më parë, nuk do të jetë për asnjë moment i imunizuar nga sulmet politike të vetë partisë që do ta propozojë. A nuk ndodhi kështu me Alfred Moisiun? A nuk ndodhi kështu me Bamir Topin? Pa përmendur Theodhori Sollakun dhe Ina Ramën? Në atë post, njerëzit me një fije personaliteti, mes besnikërisë pa kushte ndaj partisë dhe emancipimit politik vetjak, zgjedhin gjithmonë këtë të fundit. Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse Partia Demokratike nuk rrezikon, por kësaj here vendos në krye të shtetit dikë pa profil të spikatur politik. Ose, e kundërta, e ngre stekën aq lart, sa vendos në krye të presidencës kryetarin e saj, mishërimin e vetë partisë. Por kjo… kjo pastaj është komplet një çështje tjetër.

Gazeta “Shqip”

Top Channel