Vrau me thikë 3 djem dhe 1 vajzë në një qendër kujdesi për fëmijë, gjykata dënon me vdekje autorin në Ugandë
Finlanda ka përuruar një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës urbane moderne, Urën Kruunuvuori (Kruunuvuorensilta) në Helsinki, një strukturë multimodale që tashmë po cilësohet si një pikë referimi inxhinierike në Europë.
Ura u hap për publikun këtë prill dhe ka tërhequr dhjetëra mijëra vizitorë, megjithëse nuk lejon qarkullimin e makinave apo motoçikletave. E gjatë rreth 1.19 kilometra, ura është projektuar vetëm për këmbësorë, biçikleta dhe transport publik, duke synuar lidhjen e zonave lindore të banimit me qendrën e qytetit. Projekti konsiderohet pjesë e një vizioni më të gjerë urban për të lehtësuar lëvizjen e banorëve pa ndikuar negativisht në stilin e jetesës dhe natyrën, e cila është një element i rëndësishëm i jetës në Helsinki, një nga qytetet më të gjelbra në botë. Sipas autoriteteve, ura është një projekt afatgjatë i projektuar për të zgjatur rreth 200 vjet.
Ajo përfshin një shtyllë mbi 130 metra të lartë, ndriçim inteligjent LED që ndryshon sipas stinës dhe kushteve të ditës, si dhe elementë të veçantë mbrojtës ndaj erës. Forma e saj e lakuar është ndërtuar jo vetëm për arsye strukturore, por edhe për të përmirësuar përvojën e përdoruesve gjatë kalimit.
Përurimi i urës u shoqërua me një pjesëmarrje të madhe publike, me mbi 50 mijë vizitorë gjatë fundjavës së hapjes. Projekti ka reduktuar ndjeshëm distancat e udhëtimit, duke e ulur nga rreth 11 kilometra në vetëm 5.5 kilometra rrugën midis disa zonave dhe qendrës së qytetit.
Autoritetet lokale e kanë cilësuar urën si një hap të rëndësishëm drejt një qyteti më të qëndrueshëm dhe më të lidhur. Kryebashkiaku i Helsinkit e përshkroi atë si “një pikë referimi të re, unike dhe emocionuese”, në një kohë kur qyteti ka regjistruar edhe një vit pa asnjë aksident fatal në trafik.
Top Channel