Delegacioni amerikan, i cili sipas burimeve konfidenciale ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 14:00, është nisur menjëherë drejt Vlorës, i shoqëruar nga shoqërues privatë dhe patrulla policie.
Pas mbërritjes në zonën e pyllit të Hidrovorit në Akërni, delegacioni ka inspektuar nga afër territorin, aty ku prej disa ditësh ndodhen mjete të rënda të firmave të ndryshme, të cilat pritet të nisin punimet. Megjithatë, deri më tani aktiviteti i tyre është bllokuar, pasi zona është e shpallur e mbrojtur.
Mësohet se delegacioni është shoqëruar nga forca private sigurie brenda pyllit dhe më pas është larguar me mjete private në drejtim të Daljanit dhe më tej drejt zonës së Portonovës. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se prej ditësh firmat private kanë nisur punime paraprake, përfshirë shpime për studimin gjeologjik të tokës, një tregues i qartë se nisja e investimeve mund të jetë shumë pranë. Sipas të njëjtave burime, shpime të tilla për studimin e tokës po kryhen edhe në zonën e Portonovës, duke forcuar dyshimet për një projekt të madh zhvillimi në këtë pjesë të bregdetit nga Ivanka Trump, vajza e presidentit të SHBA.
Një delegacion ka mbërritur pak minuta më parë në zonën e Hidrovorit në Akërni, duke shtuar interesin dhe dyshimet mbi zhvillimet e fundit në këtë territor të ndjeshëm. Sipas burimeve paraprake, bëhet fjalë për një grup arkitektësh, megjithatë ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi përbërjen e delegacionit apo qëllimin e vizitës së tyre.
Prania e këtij delegacioni vjen në një moment kur zona e Hidrovorit ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të raportimeve mbi ndërhyrje të mundshme dhe projekte të diskutueshme zhvillimi. Mësohet se pas kësaj vizite në Akërni, delegacioni pritet të vijojë drejt zonës së Portonovos, një tjetër pikë që ka qenë shpesh në fokus për investime të mundshme.
Top Channel