Ndërsa Shqipëria është në pritje të miratimit të IBAR nga 27 vendet anëtare të BE-së për mbylljen e disa kapitujve të anëtarësimit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mblodhi në Tiranë homologët nga Austria, Çekia dhe Sllovakia.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është përparësi strategjike e bashkëpunimit tonë, theksuan ministrat pas tryezës së diskutimit, që vlerësuan se përparimi i arritur nga Shqipëria ofron një bazë të fortë për fazën e ardhshme.
“Në kontekstin aktual gjeopolitik, nevoja e ngutshme për zgjerim në BE është domosdoshmëri, sepse e shohim si një element kyç për sigurinë dhe për forcimin e stabilitetit. Dhe unë them se që prej korrikut të 2022 kur u hapën negociatat, Shqipëria ka shfaqur përparim domethënës dhe ka përmbushur me sukses kriteret e integrimit”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Sllovake, Juraj Blanár.
“Dua të jem e drejtpërdrejtë, pa vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian nuk është i plotë. Stabiliteti i tyre është siguria jonë dhe e ardhmja e tyre europiane është në interesin e qartë të Austrisë. Pa asnjë dyshim, ndajmë të njëjtën të ardhmen”, u shpreh ministrja Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Beate Meinl-Reisinger.
“Vizita jonë e përbashkët këtu ka një mesazh të qartë, erdhëm për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Faleminderit për diskutimin e frytshëm gjatë drekës me shijen e rakisë në fund që e keni specialitet. Shqipëria ka vendosë gurë kilometrikë në bisedimet e anëtarësimit”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Petr Macinka.
Në fjalën e tij, ministri Hoxha theksoi se anëtarësimi në BE mbetet prioriteti strategjik kryesor i Shqipërisë, i mbështetur fuqimisht nga një konsensus i gjerë kombëtar.
“Ky është dhe duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, i mbështetur në reforma dhe rezultate konkrete e të verifikueshme. Ne vijojmë të përqendrohemi në forcimin e shtetit të së drejtës, avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e qeverisjes dhe përputhjen e plotë me standardet e BE-së”, u shpreh ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.
Ky takim u zhvillua në kuadër të Formatit Slavkov, i njohur si S3, një platformë konstruktive me një agjendë të orientuar drejt së ardhmes, e cila ka kontribuar në forcimin e bashkëpunimit në rajon.
Top Channel