Mjerimi vret foshnjën 4-muajshe

26/12/2011 00:00

Vajza e vogel e Nazmi dhe Matilda Shakës në fshatin Zvezde në Korcë
jetoi vetëm katër muaj. Foshnja ndërroi jetë dje për shkak të
komplikacioneve të rënda nga bronkopneumonia.

Shkelqimi komercial i festave te fundvitit nuk kane shpetuar jeten vajzes, e cila pati vetem fatin e keq te lindej ne kete shtepi te rrenuar nga varferia ekstreme.

Femija ishte semurur qe ditet e para te jetes per shkak te kushteve te keqija ne banese, pas kurimit ne spital ju rikthye prinderve, te cilet serish nuk munden t’i krijojne kushtet per ta rritur foshnjen. Ata jane te zhytur ne mjerim dhe kerkojne ndihme dhe per femijet e tjere.

Po drama ne kete familje nuk ka mbaruar, ne kete banese ndodhet edhe nje tjeter foshnje vetem 18 muajshe, e cila jeton ne kushte ekstreme te varferise qe rendohet cdo dite e me teper per shkak te ngricave.

Mjekët: Vuante nga pneumonia virale

Vdiq ditën kur mbushi katër muaj jetë. Prindërve që jetojnë në një varfëri të tejskajshme, as që u shkonte nëpër mend t’i përkujtonin ditët e lindjes foshnjës së tyre. Pak pas mesnatës të së premtes e kanë marrë në krahë thuajse të pajetë dhe nëpër ngricën e rrugëve, me instinktin e njeriut që bën përpjekjet e fundit për të shpëtuar të dashurin e zemrës, kanë zbritur nga rrëza e malit të Thatë deri në qendër të fshatit.

Ka qenë dashamirësia e djalit të kryeplakut të fshati Zvezdë, ajo që bëri të mundur dërgimin e foshnjës në orët e para të mëngjesit në spitalin e Korçës. Këtu, pas afro një ore ekzaminimesh, mjekët arritën në konkluzionin se zemra e foshnjës 4-muajshe Melisa Shake po shuhej. Në skedën e saj thuhet se foshnja kishte pneumoni virale, që më pas i ka shkaktuar një insuficencë kardio-respiratore. Të paktën kështu është regjistruar rasti i foshnjës katërmuajshe, edhe pas kryerjes së autopsisë jashtë dëshirës së familjarëve.

Por, më shumë se sa dhimbja për humbjen e kësaj fëmije, për familjen Shake ka qenë shqetësim gjetja e të hollave për kryerjen e varrimit të saj. Gjyshi i saj, Sulejman Shake, i cili nga padija ngatërron termat autopsi me amnisti, të një fondacioni bamirësie me “Dhurata” apo edhe të morgut të spitalit, mes lotësh tregon se ka hyrë në borxh për të varrosur vajzën katërmuajshe të djalit të tij, Nazmiut. Vetëm që të dërgonte për në banesën e fundin mbesën e tij katërmuajshe, i është dashur të kërkojë ndihmë dhe të mëshirohet nga kryeplaku i fshati dhe komuna Pojan, duke i kërkuar lëmoshën më të rëndë të jetës së tij: të holla për të mos lënë pa varrosur këtë foshnjën që vdiq nga të ftohtët.

Tregojnë me përgjërimin e njerëzve të ndodhur në pikë të hallit për problemet e pafund familjare që kanë të bëjnë me sigurimin e bukës së përditshme. Ndërkohë, më tutje, fëmija i mbetur i familjes Shake, një djalë 18-muajsh, fle i mbështjellë kokë e këmbë me batanije. Megjithëse në dhomë ka zjarr, nuk mund ta përcaktosh nëse të ftohtët me temperatura nën 0 gradë celsius e përballon më lehtë jashtë banesës së familjes Shake apo brenda asaj që mund të quhet shtëpi. E gjithë banesa është një farë dhome e izoluar, e ndërtuar me disa lloj tullash prej betoni dhe që nuk ruajnë kurrfarë nxehtësie. Në këto kushte jetoi katër muaj foshnja, organizmi i së cilës nuk mundi të përballoi të ftohtin e acartë.

Top Channel