10 vjet që bënë historinë

20/12/2011 00:00

Dhjetë vjet më pare, pas një pritshmërie 6 mujore, qytetarët shqiptarë ndoqën edicionin e parë të lajmeve në Top Channel. Lajmi i parë i edicionit të datës 20 dhjetor 2001 ishte denoncimi i një marrëveshjeje qeveritare që lejonte marrjen e rërës nga Gjiri i Gjipesë në bregdetin e Jonit, për ta dërguar në ishullin e Korfuzit. Ndërsa lajmi i pare i edicionit të dates 20 dhjetor 2011 ishte denoncimi i mjerimit ekstrem në të cilin jetojnë njerëzit në një nga skajet veriore të vendit.

Kjo ishte ideologjia që udhëhoqi në dhjete vjet Top Channel. I pavarur, i drejtë, i lirë dhe në mbrojtje të interesave të vendit dhe njerëzve të thjeshtë.

Dhjetë vjet më parë, media elektronike në Shqipëri ishte po ashtu sic ishte edhe vetë Shqipëria. E varfër në teknologji, e varfër në mendim dhe ide, jo profesionale dhe tërësisht informale.

Por vendimi dhe idetë e një njeriu do ta ndryshonin këtë mjedis dhe do ta revolucionarizonin televizionin, duke e shndërruar në një gjenerator të zhvillimit dhe pararojë të shoqërisë.

Ishin vetëm 20 njerëz, kryesisht të rinj, ata që dëgjuan për herë të parë Dritan Hoxhën të fliste për një televizion të madh, në një ngrehinë ku nuk kishte asnjë pajisje e asnjë zyrë. Para se të instaloheshin aparaturat, të ndërtoheshin studiot dhe merrnin udhë programet që do të gozhdonin para ekranit miliona shqiptarë anembanë botës, Top Channel ishte ndërtuar në mendjen e Tanit, ashtu sic është sot.

Top Channel nuk ishte thjesht një televizion. Ai krijoi modele që u ndoqën nga mediat e tjera për t’i rezistuar konkurrencës. U krijua standarti teknologjik, duke sjellë në Shqipëri fjalën e fundit të prodhimit elektronik, u krijua standarti profesional, etik dhe moral në media. Këtu u thyen klishetë dhe u shtruan udhë të reja, përmes të cilave do të ecte në këto dhjetë vjet media televizive në tërësi, duke u bërë sot pararoja e zhvillimit të vendit.
 
Edicioni i lajmeve, u pasua shumë shpejt nga programe të reja që u shndërruan në institucione.


“Fisk Fare”, programi investigativ mori shpejt atributet e një gjykate të pakorruptuar dhe njerëzit mbanin e mbajnë ende radhë për të kërkuar e zgjidhur problemet e tyre, pasi hasin në dyert e mbyllura të institucioneve shtetërore.

Emisioni Shqip, lindi dhe u rrit si një ekspoziëe e mendimit shqiptar dhe njerëzve krijues, brenda dhe jashtë vendit, një ekspozitë për Shipërinë e bukur dhe idetë që duan ta zhvillojnë atë.

“Top Story” u bë arena e debatit më profesional politik dhe studio nga ku horoskopi i politikës bënte parashikmet e zhvillimeve të së ardhmes.

Shqipëria ishte i vetmi vend ku institucionet kulturore të shtetit nuk prodhonin humor, ndërsa muzika shqiptare po degradohej e deformohej nga një ushtri këngëtarësh e mediash amatore që e shndërruan traditën shqiptare në mall për treg.

Top Channel, coi më tej një nismë që lindi në Top Albania Radio, prodhimin dhe promovimin e muzikës shqip. Programe të posacme muzikore u bënë trampolinat e talenteve të reja dhe Top Fest është tashmë festivali më i madh i muzikes moderne shqiptare, duke sjellë këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Në një vend plot probleme, programi “Portokalli” solli humorin në cdo shtëpi shqiptari, prodhoi një plejadë artistësh të rinj dhe krijoi një model të cilin sot e imitojnë media të tjera elektronike në vend.
 
Në një vend ku ende nuk kishin të gjithë televizor në shtëpi, Dritan Hoxha bëri hapin e madh të investimit, solli teknologjinë dixhitale, e cila sapo kishte prekur edhe Europën e zhvilluar. Nje aventurë ekonomike për gjithkënd. Por guximi është virtut i njerëzve të suskeshem dhe suksesi nuk vonoi.
 
Parada e arritjeve është edhe më e gjatë dhe e gjithë kjo në vetëm dhjetë vjet. Në vetëm dhjetë vjet është ndryshuar kaq shumë në mjedisn mediatik shqiptar. Media sot është më e besueshme se politika, më e besueshme se gjykatat dhe institucionet e tjera të shtetit.

Pa asnjë dyshim, pa Top Channel dhe mendjen e Tanit, media e madje edhe vetë shoqëria në Shqipëri, nuk do të ishte kjo që është. Tani, jo vetëm ecte më shpejt se koha, por ai mendonte dhe punonte më shpejt se koha, duke bërë në më pak se dhjetë vjet, atë që do të duheshin dekada për ta bërë.     

Top Channel