Euro 2012, trajnime kundër kërcënimit bërthamor

14/12/2011 18:45

Europiani i futbollit që do të zhvillohet në vitin 2012, nuk e shqetëson aspak UEFA-n për sigurinë në Poloni dhe Ukrainë. Por pavarësisht kësaj, autoritetet kanë vendosur të marrin masat e nevojshme për rrezikun nga terroristët dhe sulmet potenciale nga ekstremistët.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Nukleare, IAEA, publikoi një program me të cilin po stërvit prej ditësh autoritetet e ruajtjes së rendit në Poloni, për rrezikun bërthamor që mund të kulmojë në kampionatin europian. Zyrtarët e agjencisë thanë gjithashtu se do të asistojnë në masat e sigurisë që do të marrë edhe Ukraina.

AIEA ndihmon shtetet anëtare që të parandalojnë sulmet, duke trajnuar forcat e sigurisë, zjarrfikësit, policët e kufirit dhe shumë vullnetarë, sesi të dallojnë rrezikun nuklear. Zyrtarët e Agjencisë Atomike publikuan gjithashtu një video të stërvitjeve që u zhvilluan në Gdansk, qytet që do të presë edhe 3 ndeshje të fazës finale në grupin e Spanjës dhe Italisë.

Agjencia Ndërkombëtare Atomike ka ndihmuar më parë në sigurinë e aktiviteteve sportive. Trajnime të tilla janë mbajtur edhe para Lojërave Olimpike në Athinë e Pekin, si dhe në botërorin e Afrikës së Jugut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA